Biznes

Ndërmarrjet bujqësore në vështirësi, mes barrës së rëndë të huave dhe mungesës së tregut

Ndërmarrjet bujqësore thonë se janë në vështirësi gjatë aktivitetit të tyre.
Sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë i cili bazohet mbi anketimin e ndërmarrjeve bujqësore në vend, këto të fundit kanë referuar se kanë probleme të lidhura me specifikën e sektorit, me shitjet, vështirësinë e gjetjes së tregut, mungesën e investimeve, koston e financimit, barrën e rëndë të huave dhe konkurrencën.

Të pyetur në lidhje me ecurinë e shitjeve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, 43% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se shitjet e tyre nuk kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe dhe 40% e ndërmarrjeve shprehen se shitjet e tyre kanë rënë. Vetëm 16% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se shitjet e tyre janë rritur në këtë gjashtëmujor. Për sa i përket pritshmërive për gjashtëmujorin e dytë 2017, 44% e ndërmarrjeve bujqësore presin rritje të shitjeve dhe 19% presin rënie të tyre.

Në lidhje me rezultatin financiar, gati gjysma e ndërmarrjeve bujqësore të anketuara pohojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, ai ka mbetur i pandryshuar, 37% e ndërmarrjeve pohojnë se rezultati financiar ka rënë. Ndërmarrjet duken optimiste për gjashtëmujorin e dytë 2017, ku 42% e ndërmarrjeve presin rritje të rezultatit financiar, ndërsa 39% e tyre presin që rezultati financiar të mbetet të paktën i pandryshuar. Vetëm 19% e ndërmarrjeve bujqësore presin rënie të rezultatit financiar gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017.

Për sa i përket zgjerimit apo jo të aktivitetit (apo të investimeve), mesatarisht 78% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se nuk e kanë ndryshuar aktivitetin gjatë gjashtëmujorit të parë dhe presin që të mos ketë ndryshime as gjatë gjashtëmujorit të dytë 2017.

Të pyetur mbi burimet kryesore të financimit, ndërmarrjet bujqësore janë shprehur se 64% e tyre kanë përdorur shitjet për të financuar veprimtarinë e biznesit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 dhe 30% e ndërmarrjeve kanë përdorur rezervat e mbartura. Ndërsa huaja përdoret si burim financimi nga vetëm 5% e ndërmarrjeve bujqësore, që tregon për një ndërmjetësim të ulët financiar ndaj këtij sektori .

Ndërmarrjet bujqësore u pyetën në lidhje me huanë dhe përdorimin e saj prej tyre. Të dhënat e marra nga vrojtimit tregojnë se vetëm 18% e ndërmarrjeve bujqësore kanë aktualisht një hua, ndërsa 82% e tyre pohojnë se nuk kanë.

Të dhënat tregojnë se ndërmarrjet bujqësore kanë marrë hua kryesisht nga bankat, (65% e ndërmarrjeve) dhe nga personat fizikë. Ndërsa burimet e tjera të financimit, përdoren më pak nga ndërmarrjet bujqësore për të financiar veprimtarinë e tyre.

Të pyetur mbi qëllimin e përdorimit të huasë, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se e kanë marrë huanë kryesisht për të përballuar shpenzimet korrente (73%), si dhe për të kryer një investim afatgjatë. Ndërsa për të shlyer një hua të vjetër dhe për arsye të tjera përdoret relativisht pak .

Ndërmarrjet bujqësore, të cilat kanë marrë një hua për të financuar veprimtarinë e tyre janë pyetur për të dhënë një vlerësim mbi huanë që kanë marrë. Rezultatet tregojnë që 41% e ndërmarrjeve bujqësore që kanë marrë një hua, deklarojnë se huaja e marrë është e përshtatshme, pjesa tjetër deklarojnë se do të donin të merrnin më shumë dhe dhe të tjerë se do të donin të merrnin më pak.

Pak më shumë se gjysma e ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë marrë një hua, pohojnë se vlera e kolateralit të tyre është nën 50% të vlerës së huasë dhe 22% e ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se kolaterali është sa 50-100% të vlerës së huasë. Ndërsa vetëm për 26% të ndërmarrjeve, vlera e kolateralit të vendosur tejkalon mbi 100% vlerën e huasë.

Barra e huasë për 51% të ndërmarrjeve bujqësore është brenda intervalit 20 deri 50% të totalit të ardhurave, për 40% e ndërmarrjeve luhatet në nivelin e 20% të të ardhurave, që tregon se barra e huasë është relativisht e shtrenjtë për këto ndërmarrjeve. Kurse për 10% e ndërmarrjeve, barra e huasë është në intervalin 50 deri në mbi 80% të të ardhurave totale të ndërmarrjeve, që tregon për këto ndërmarrje barra e huasë është shumë e kushtueshme.

Më shumë se gjysma e ndërmarrjeve bujqësore e vlerësojnë ngarkesën e borxhit të lartë.
Të pyetur mbi mundësinë e tyre për të marrë një kredi bankare në 6 muajt e ardhshëm, 52% ndërmarrjeve bujqësore pohojnë se nuk ka asnjë mundësi për të marrë kredi dhe 42% e ndërmarrjeve vlerësojnë se ka pak mundësi. Vetëm 15% e ndërmarrjeve bujqësore, vlerësojnë se ka shumë mundësi që do të marrin kredi në gjashtëmujorin e dytë 2017.

Nga ana tjetër, pavarësisht perceptimit të tyre se kredia bankare është e shtrenjtë, ndërmarrjet bujqësore i vlerësojnë të rëndësishme dhe të domosdoshme bankat për ecurinë e veprimtarisë së tyre. Megjithatë një pjesë e konsiderueshme, rreth një e treta e ndërmarrjeve bujqësore gjykojnë se marrëdhënia e tyre me bankën nuk është dhe aq e rëndësishme


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë