Politike

Ndërkombëtarët, “vija e kuqe” që ndan Metën me Bashën

Lulzim Basha i vlerësoi si të drejta, kushtetuese dhe institucionale qëndrimet e Presidentit Ilir Meta sa u takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në bashkëbisedimin me gazetarët thirrur pas kthimit të tij nga Gjermania, kreu i PD-së theksoi se për këtë Presidenti ka patur dhe ka mbështetjen totale të opozitës.

Por, a e ka Ilir Meta mbështetjen e PD-së edhe në përplasjen me ndërkombëtarët?

“Nuk bëj komente për komentet e Presidentit, apo kujtdo tjetër në raport me çështje të tilla. Nuk komentoj as përfaqësuesit e huaj dhe me sa duket jam ndër të paktët që e bën këtë. Një gjë është e sigurtë, keqpërdorimi masiv i përfaqësuesve ndërkombëtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë nga ana e Edi Ramës”, iu përgjigj Basha interesimit të gazetarëve mbi këtë përplasje.

Kryetari i PD-së e sheh keqpërdorimin e tyre tek kanabizimi i Shqipërisë, tek fshehja e Edi Ramës pas ambasadorëve për kapjen e drejtësisë dhe për të gjitha ato që i quajti dështime të tjera të Kryeministrit, por në asnjë rast në gjuhën e përdorur nuk i rreshtoi ndërkombëtarët, apo pjesë të misioneve diplomatike ndërkombëtare në Tiranë, në krah të Edi Ramës, ashtu siç bëri javën e kaluar Ilir Meta.

Në fakt, që prej 24 korrikut të 2017, kur Ilir Meta hyri në Presidencë i zgjedhur edhe me votat e socialistëve, Partia Demokratike e ka mbështetur në të gjitha përplasjet që ai ka patur me mazhorancën socialiste, që me ligjet speciale të kontestuara, siç është ai për Teatrin Kombëtar, e deri tek përplasja e fundit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Por, për dallim me herët e tjera në përplasjen e fundit të konsumuar javën e shkuar, Presidenti Ilir Meta shënjestroi një pjesë të ndërkombëtarëve. Ai shpalli “të padëshirueshëm” në Presidencë ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt dhe foli për disa diplomatë që janë bërë “palaço” dhe “lecka të Edi Ramës”. Larg këtyre akuzave nuk mbeti as Ambasada Amerikane, që ditën e enjte, përmes një deklarate këshillonte adresimin e përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese për në Komisionin e Venecias.

“Amerika nuk është tek Rruga e Elbasanit (Selia e Ambasadës Amerikane)! Amerika dhe Bashkimi Europian është këtu”, u shpreh Presidenti duke bërë me dorë në zemër.

Këto zhvillime e gjetën Lulzim Bashën në Zagreb për punimet e Kongresit të Partive Popullore Europiane dhe më pas në Laipzig për të ndjekur kongresin e kristian-demokratëve gjermanë. Megjithatë, në Tiranë Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe të tjera figura drejtuese demokrate i dhanë të drejtë Presidentit dhe akuzuan Kryeministrin Edi Rama se kërkon që të kapë Gjykatën Kushtetuese.

Por, kjo mbështetje nuk është e pakufizuar. Mbështetja qëndron brenda kufijve të Shqipërisë dhe shkëputet kur përfshihen “ndërkombëtarët”. Në këtë pjesë, PD u tregua më “diplomatike” dhe qëndrimet më të moderuara e të kujdesshme. Kësaj linje të kujdesshme i qëndroi edhe Lulzim Basha. Pse? Ky qëndrim duket se nuk është më shumë rrjedhojë e një marrëdhënieje të shkëlqyer mes Partisë Demokratike dhe ndërkombëtarëve sesa një përpjekje e Lulzim Bashës për ta riparuar këtë marrëdhënie që pas djegies së mandateve në shkurt të këtij viti.

Demokratët nuk i kanë fshehur pakënaqësitë ndaj ndërkombëtarëve, sidomos ndaj Ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt, të cilin Sali Berisha e ka cilësuar publikisht si krejtësisht të njëanshëm. Por, pavarësisht kësaj, ndryshe nga Meta që e ka shpallur “non grata” në Presidencë, Basha e priti në zyrë gjatë një takimi me një delegacion të OSBE-së në selinë e PD-së.

Këtë përplasje të re për reformën në drejtësi, Basha e sheh edhe si një tjetër provë që koha i dha të drejtë Partisë Demokratike dhe kërkoi nga gazetarët e përmes tyre edhe nga ndërkombëtarët që t’i jepej “haku” opozitës. Ndërkombëtarët nuk e mirëkuptuan djegien e mandateve, por kreu i PD-së e vlerësoi si një pikë kthese për vendin.

“Ky është momenti që duhet të thoni që qëndrimet tona kanë qenë të drejta. Maksimumi që mund të na thoni është që kemi qenë të parakohshëm. Duhet të kishim qenë pak më politikë, kur i thonë, më kopilë, më vetëshërbyes. Mund të kishim prit që të shkonte keq gjëja dhe pastaj të thonim kështu e kështu. Ne e thamë që në fillim. Pa atë akt të djegies së mandateve të opozitës, askush në vendin tonë nuk do të kuptonte gjendjen në të cilën ndodhet vendi”, u shpreh ai.

Dallimi është edhe në gjuhën e përzgjedhur për të paralajmëruar Edi Ramën. Basha është falenderon ndërkombëtarët, por thotë se përballja “me të gjitha format demokratike” është e pashmangshme.

“Unë u jam mirënjohës ndërkombëtarëve që i bëjnë thirrje që prej qershorit Edi Ramës që të pranojë zgjidhjen e krizës. Kjo përballje do të bëhet e pashmangshme nëse PS nuk gjen kurajo që të vendosë një herë të vetme në këto 7 vite interesin e shqiptarëve para interesit personal të Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Meta nga ana tjetër, përmes zëdhënësit të tij, përballë kërcënimit të mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën shmang ndërkombëtarët dhe paralajmëron se ditën që do të ndryshohet kjo Kushtetutë, Presidenti do të hyjë në Parlament së bashku me popullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë