Rend dhe Ligj

Ndërhyrje ruse në Ballkan, shefi i SHISH raporton në Kuvend

Pavarësisht mungesës së opozitës, Kuvendi ka nisur procedurën për të dëgjuar në raportim kreun e Shërbimit Informativ Shtetër, Helidon Bendon mbi punën njëvjeçare të institucionit që ai drejton. Në Komisionin e Sigurisë mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe Bendo, tashmë de-jure shefi i SHISH, ka paraqitur raportin sekret mbi situatën aktuale në Shqipëri, problematikat që ka hasur ky institucion.
Mësohet se kreu i SHISH është shprehur i shqetësuar mbi tentativat për të rritur influencat e ruse në Shqipëri pa dhënë detaje për mënyrat se si.
“Nga analiza e të dhënave për vitin 2018 vërejmë një rritje të tentativës nga Rusia për ta shtuar, influencën në vendin tonë”, mësohet se është shprehur kreu i SHISH. Por ai nuk ka dhënë më tepër detaje se si realizohet kjo dhe në çfarë mënyrash konkretisht.
Deputetët e PS-së kanë kërkuar më tepër informacion, nëse kjo influencë prek nivelet e larta të politikës, por kjo gjë është mohuar nga Bendo.
Në Shqipëri dhe në disa shtete të Ballkanit kanë nisur protestat dhe kjo përflitet nga mediat apo dhe shtetet e tjera të Europës apo dhe SHBA që mund të kenë edhe ndikimin e Rusisë. Influenca ruse në gadishullin ka qenë përherë një problem dhe është ngritur me shqetësim nga BE apo dhe SHBA.
Lufta ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, apo ndaj lëndëve narkotike ka qenë pjesë e raportimit përpara deputetëve të komisionit të Sigurisë. Ndërsa deputeti i vetë i PD-së, Mylsym Murrizi ka kërkuar të njihet nëse është në lidhje me ekzistencën e një grupi oficerësh të korruptuar në policinë e shtetit. “Nuk na rezulton që në policinë e shtetit te ketë një grup oficerësh të korruptuar”, ka reaguar shefi i SHISH.
Në çdo vit përpara komisionit të Sigurisë realizohet raportimi i institucioneve të veçanta dhe të krijuara me Kushtetutë. Këtu përfshihen edhe ato të sigurisë. Si procedurë raportimi i kreut të SHISH apo dhe i shërbimeve inteligjente shqiptare që veprojnë në Shqipëri realizohet me dyer të mbyllura, kur ka të dhëna sensitive dhe kjo kërkohet nga deputetët apo vetë drejtuesit e institucioneve.
Raporti i SHISH si rregull paraqitet në Kuvend, por edhe te Kryeministri dhe Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë