FIFA ka vendosur të pezullojë me efekt të menjëhershëm dy federata të saj, federatën e Çadit dhe federatën e Pakistanit. Vendimi për federatën afrikane është marrë për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve qeveritare.
Konkretisht, qeveria i ka hequr federatës së Çadit fuqinë për të marrë vendime dhe ka krijuar një komitet kombëtar për administrimin e përkohshëm të futbollit në vend.
“Pezullimi do të hiqet sapo vendimet e qeverisë së Çadit të shfuqizohen dhe drejtimin e futbollit ta marrë sërish federata e këtij vendi”, – shkruhet në njoftimin e FIFA-s.
Në rastin e Pakistanit pezullimi ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së palëve të treta, çka përbën një shkelje të rëndë të statutit të FIFA-s. Situata është provokuar nga pushtimi i selisë së federatës së Pakistanit nga një grup manifestuesish, si dhe nga vendimi i disa individëve për të larguar komitetin e drejtuar nga Haron Malik për t’ia dhënë drejtimin e federatës Syed Ashfaq Hussain Shah.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.