Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur me 1500 lek drejtorin e Agjencisë së Kadastrës në Lushnje, Arben Qalliu, pasi arriti që të provojë se i kishe dhënë deputetit socialist, Bujar Çela një sasi certifikatash pronësie për t’i shpërndarë në një takim elektoral me banorët përfitues.
Rasti i denoncua nga ana e Lëvijes Socialiste për Integrim që sinjalizoi edhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Vetë LSI e cilësoi qesharak këtë vendim të KQZ-së, duke akuzuar këtë institucion që jo vetëm legalizoi shit-blerjen e votës, por madje i uli çmimin asaj.
“Kështu siç e keni nisur thjesht do të na nderoni! Ai shkon dhe blen vota me legalizime dhe gjobitet me 1500 lekë. Përfundimi, thjesht po legalizojnë blerjen e votës. Pra, sot rilindjes i bëtë dy ndere, e para legalizoni vjedhjen dhe e dyta i ulët çmimin votës se gjynah të shkretët”, tha përfaqësuesja e LSI-së, Brisida Shehaj.
KQZ reagoi duke deklaruar se vendimi është bazuar në parashikimet e Kodit Zgjedhor, më konkretisht nenin 171 pika 2 e tij, ku thuhet shkeljet e dispozitave të këtij Kodi, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me gjobë nga 1,000 deri në 2,500 lekë.
Më 24 dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Rregullator, një prej tre strukturave të KQZ-së të ngritura pas marrëveshjes së 5 qershorit, miratoi një vendim, duke përshkruar të gjitha veprimtaritë që ndalohen 4 muaj para zgjedhjeve, ku ndër të tjera përfshihet edhe shpërndarja e lejeve të legalizimeve.
Por, në rastin e Arben Qalliut, KQZ thotë se për sanksionet ndaj drejtorit të Kadastrës së Lushnjes është mbështetur tek Kodi Zgjedhor, pasi vendimi në fjalë i Komisionit Rregullator nuk parashikon sanksione për shkelje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.