Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria është tërhequr nga importi i mbetjeve, pak muaj pasi propozoi lejimin e importit të disa lloje mbetjeve.
Ministria e Mjedisit konfirmoi për Gazetasi.al se është gati një draft i ri që pritet të dalë për konsultim gjatë ditëve në vazhdim.
“Ndalohet në të gjitha rastet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi tranzit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në draftin e ri të ministrisë.
Drafti i ri është i koordinuar me direktivën e BE-së.
Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisor, tha për Gazetasi.al se ky vendim ka ardhur pas kundërshtimit të AKIP, aleanca kundër importit të mbetjeve, të cilët kanë paralajmëruar edhe nisjen e protestave për të kundërshtuar projektligjin e parë, ku lejohej importi i plehrave.
Ferruni tha në takimin e aktivistëve se Shqipëria nuk mund të pranojë importin e plehrave kur ka një krizë të menaxhimit të mbetjeve brenda vendit dhe një ndotje të shtuar “në mënyrë marramendëse”.
Ai e cilësoi rikthimin e nismës nga qeveria si një “aferë të shëmtuar”, që tenton të kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash.

Në gusht të vitit 2024, Ministria e Mjedisit nxorri në konsultim një projektligj që do të lejonte importin e disa lloje mbetjesh, që do të përcaktoheshin me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Diskutimi ishte për mbetjet e Listës së Gjelbër, ku përfshihen mbetje kartoni, letre, alumini, hekuri, mbetjet plastike, mbetje plumbi, mbetje zinku, mbetje industriale apo mbetje mjekësore. Shoqatat ambjentaliste, ekspertët dhe opozita kundërshtuan draftin duke paralajmëruar dhe protesta. Ambjentalistët u shprehën të shqetësuar duke thënë se një vendim i tillë do të ishte fatal për Shqipërinë, e cila nuk menaxhon dot as plehrat e prodhuara vetë.Një nga akuzat ishte se qeveria po miratonte një ligj të tillë si favorizm për kompanitë e çimentos, që të munden të importojnë plastikë për të djegur në furra, e jo naftë apo gaz që kushton më shumë.
Drafti u harrua nga qeveria e cila mesa duket ka qenë duke përgatitur draftin e ri.
Një nismë e tillë është diskutuar edhe në vitin 2016, ku asokohe deputeti i PS-së Eduard Shalsi, pati propozuar që të lejohet importi i mbetjeve, që bëjnë pjesë në ‘Listën e Gjelbër’ të BE, ku listohen mbetje nga ato të hekurit, aluminit, mbetjet e kafshëve, shpendëve, mbetje plastike, hire, mbetje qeramike etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.