Lajme

Ndalohet hyrja e kreut të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriç

Një ditë përpara zgjedhjeve lokale në Mitrovicën e Veriut, Ministria e Jashtme e Kosovës i ka ndaluar hyrjen drejtorit të së ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriç.

Vendimi i autoriteteve në Prishtinë erdhi pasi Gjuriç paralajmëroi se do të vizitonte Veriun, ndërkohë që qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e katër komunave.

Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, Gjuriç, tha së të dielën do të vizitojë Veriun e Kosovës, sepse këto zgjedhje janë të rëndësishme për të mbrojtur interesat e Serbisë.

Por, si duket një vizitë e tillë nuk do të jetë e mundur sepse Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka aprovuar kërkesën atij, sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit.
Gjuriç ka bërë kërkesën të shtunën, por sipas rregullave, kërkesa për vizita zyrtare duhet të bëhet gjatë ditëve të punës (nga e hëna deri të premtën), jo gjatë fundjavës.

Vitin e kaluar, Gjuriç u arrestua nga policia e Kosovës në një tubim në Mitrovicë, ku është paraqitur pavarësisht se autoritetet e Kosovës i kishin ndaluar hyrjen.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave për shkak të taksës së vendosur nga Qeveria Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë