Bota

‘Ndalni vrasjet e foshnjave dhe grave’, Netanyahu pas thirrjes së Macron: Liderët botërorë duhet të dënojnë Hamasin, jo Izraelin

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu i është përgjigjur një interviste që Presidenti i Francës Macron i dha BBC-së mbrëmë, në të cilën ai i kërkoi Izraelit të ndalonte vrasjen e grave dhe foshnjave në Gaza dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim në luftë.

Netanyahu tha se liderët europianë duhet të dënojnë Hamasin dhe jo Izraelin, duke pretenduar se ushtria e tij po përpiqej të largonte civilët nga konflikti, ndërsa Hamasi po i përdorte ata si mburoja njerëzore.

“Krimet që po kryhen sot nga Hamas-ISIS në Gaza do të kryhen nesër në Paris, Nju Jork dhe në të gjithë botën,” paralajmëroi ai në një deklaratë.

Macron tha se nuk kishte “asnjë justifikim” për bombardimet, duke shtuar se një armëpushim do të ishte përfitim për Izraelin.

“Ndërsa njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, “ne i bëjmë thirrje që të ndalojnë këtë bombardim” në Gaza, tha ai.

Por ai gjithashtu theksoi se Franca “dënon qartë” veprimet “terroriste” të Hamasit.

Duke folur një ditë pas një konference për ndihmë humanitare në Paris për luftën në Gaza, Macron tha se “përfundimi i qartë” i të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në atë samit ishte “se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se fillimisht një pauzë humanitare, duke shkuar në një armëpushim, i cili do të na lejojë të mbrojmë… të gjithë civilët që nuk kanë asnjë lidhje me terroristët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë