Ka ndodhur

Ndalimi i gomones me klandestinë sirianë në Vlorë, arrestohet skafisti

Arrestohet në Vlorë një nga skafistët që tentoi të trafikonte drejt Italisë me gomone 55 klandestinët sirianë, të kapur më 8 janar.

Policia thotë se në pranga ka rënë 26-vjeçari Emiljano Likaj, i cili ishte drejtuesi i skafit.

Skafi që drejtonte Likaj u fundos në grykëderdhje të Vjosës, duke rrezikuar që të mbyteshin sirianët.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, shtetasin: E. L.(A.), 26 vjeç, banues në Vlorë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues (skafisti), me të cilin migrantët nga vendet e treta do të largoheshin në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më herët, për këtë ngjarje janë arrestuar Qazim Ismailaj dhe Fatos Dushe, përkatësisht pronari i një hoteli në Tiranë dhe pronari i një banese, pasi kishin strehuar klandestinët para se ata të niseshin me gomone drejt Italisë.

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Qazim Ismailajn, i cili akuzohet për veprën penale dhënie ndihme të paligjshme për kalim të kufirit dhe për strehim të 55 klandestinëve nga Lindja e Mesme që u gjetën në grykëderdhjen e lumit Vjosa pak ditë më parë.

32-vjeçari dyshohet se ka strehuar shtetasit sirianë në banesën në pronësi të tij.

Në burg është lënë edhe pronari i hotelit Fatos Dushe, i cili gjithashtu kishte strehuar klandestinët në hotelin e tij.

Më 8 janar një gomone me 55 klandestinë nga Lindja e Mesme dhe 3 trafikantë shqiptarë po tentonin të iknin drejt Italisë, por ka pësuar avari në rrethana ende të paqarta. Një telefonatë SOS “po mbytemi” nga një numër shqiptar ka çuar rojën bregdetare gjatë natës në grykëderdhjen e lumit Vjosë pranë fshatit Poro.

Klandestinët nga Siria qëndruan mbi 3 orë në përballje në det të hapur me motin e keq. Mjeti lundrues mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta.

Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojës Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Finanza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë