Kinema

Ndahet papritur nga jeta aktorja që fitoi Palmën e Artë në Kanë

Nga Gazeta 'Si'- Aktorja dhe modelja afrikano-jugore, Charlbi Dean, ka ndërruar jetë në moshën 32-vjeçare.

Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se 32-vjeçarja që fitoi Palmën e Artë në Kanë në vitin 2022 me “Triangle of Sadness”, ndërroi jetë në një spital të Nju Jorkut “nga një sëmundje e papritur”.

Përpara se të luante me Harris Dickinson dhe Woody Harrelson në satirën e egër të kapitalizmit të Ruben Östlund, e cila do të shfaqet në kinematë amerikane më 7 tetor, Charlbi bëri emër për pjesën e Syonide, një personazh i përsëritur në serialin komik ‘Rrufeja e Zezë’.

Në “Triangle of Sadness”, “Trekëndëshi i trishtimit” aktorja e re kishte pjesën e modeles Yaya, një nga të ftuarat për një lundrim në një superjaht luksoz, drejtimi i të cilit është nga një marksist i pakalueshëm dhe që përfundon në mënyrë katastrofike me të mbijetuarit e braktisur në një ishull të shkretë.

Filmi fitues i Palmës së Artë në Kanë, "Triangle of Sadness", ku luajti aktorja Charlbi Dean

Charlbi ka lindur në vitin 1990 në Cape Town në Afrikën e Jugut. Ajo bëri debutimin e saj si modele në moshën gjashtëvjeçare dhe në kinema në moshën dhjetëvjeçare në komedinë ‘Spud’ me John Cleese dhe Troye Sivan.

Më pas ajo u shfaq në filmat ‘Death Race 3: Inferno’ (2013), ‘Blood in the Water’ (2016), ‘Don’t Sleep’ (2017) dhe ‘Porthole’ (2018). Si modele ajo kishte punuar për fushatat Guess, Benetton dhe Ralph Lauren.

Në vitin 2008, ajo i mbijetoi një aksidenti të rëndë automobilistik që e la me kocka të thyera dhe një pneumotoraks.

Nw vitin 2018 u shfaq në serialet televizive “An Interview with God” e “Black Lightning”. Në vitin 2020 ajo luajti në “Triangle of Sadness”, ku Charlbi Dean luajti Yaya, supermodele dhe influencuer. Një karrierë që për fat të keq përfundoi shumë shpejt.

Marrë nga Il Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë