Njerez

Ndahet nga jeta Kiço Blushi: Peshoren e vlerave, e përcakton koha

Peshoren e vlerave, e përcakton koha,  do të  thoshte dikur Kiço Blushi, ndërsa shtonte se suksesin e një shkrimtari nuk e vendosin as shitjet e as fama. Ka pasur gjeni, mendonte ai,  që nuk janë vlerësuar për së gjalli. Të premten e 8 shkurtit, shkrimtari dhe publicisti u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare , pas një sëmundjeje që e kishte munduar për dy vite. I njohur për skenarët e filmave si  “Beni ecën vetë”, “Nëntori i Dytë”, “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 36” apo “Në shtëpinë tonë”, Blushi e arriti famën në të gjallë të tij, duke e çuar pasionin e të shkruarit drejt letërsisë me botimin e dhjetëra romaneve si “Mos”, “Koka e prerë” apo “Gjuha e gjakut”. Kiço Blushi u lind në Korçë më 23 gusht të vitit 1943, ndërsa vitin e kaluar do të festonte 75- vjetorin e lindjes. “Jam përpjekur që brenda atij mentaliteti patriarkal korçar të rezistoja me dëshirën dhe prirjen time për t’u marrë me art, me letërsi. Kjo prirje më ka bërë të mos zhytem në atë pellgun e provincës”, thoshte shkrimtari, i cili pasionin për letërsinë e zbuloi që herët, gjatë viteve të gjimnazit, duke shkruar vjersha. Artistin që jetonte në provinca, e shihte si të mbyllur në një dhomë të vogël “dhe të mos shikosh det, horizont dhe hapësira të tjera”.

Pas mbarimit të studimeve të larta për Letërsi shqipe dhe ruse,  filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974,  kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku nisi edhe karriera e tij si skenarist, me filmin e parë  “Çifti i lumtur”. Një vit më vonë do të shkruante skenarin e “Beni ecën vetë”, me të cilin u nderua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të. Ishin vite të frytshme për Blushin si skenarist,  ku katërmbëdhjetë filma artistikë mbajnë firmën e tij në skenarë. Tek Kiço Blushi pikëtakohen novelisti i talentuar, kineasti me përvojë dhe publicisti i angazhuar i së vërtetës, do të shprehej shkrimtari Luan Rama, ndërsa Blushi ishte i pranishëm në një takim me lexues, në Paris. Pas viteve ’90, Blushi do të ishte një zë kritik dhe analizues i tranzicionit  shqiptar dhe fenomeneve negative që ai solli. “Shqetësimi im kryesor mbetet se në Shqipëri nuk ka një sistem vlerash, por funksionon më tepër një sistem antivlerash”, përgjigjej shkrimtari dhjetë vjet të shkuar në një intervistë, duke shprehur shqetësimin për një brez të ri të shoqërisë shqiptare, që sipas tij kishte nevojë për ushqim kulturor.

Përtej krijimtarisë artistike, Kiço Blushi ka qenë gjithashtu i angazhuar në politikë. Në vitin 1991, presidenti i asokohe Ramiz Alia e thirri të merrte pjesë në Këshillin Presidencial. Nga ai vit e deri në 2001 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për Partinë Socialiste dhe mandatin e fundit për Partinë Socialdemokrate. U tërhoq nga politika aktive, me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Më vonë do të emërohej  Kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës Kombëtare të Kulturës. Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një postim në faqen e tij ka shprehur trishtimin për ndarjen nga jeta të Kiço Blushit. “Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë si një nga përfaqësuesit më të denjë të “Brezit 1970”: prozator, kineast, publicist dhe botues.Kiço Blushi luajti role të rëndësishme publike dhe qytetare në momente kyç të historisë shqiptare, me angazhimin e tij të pabujë dhe fisnik”, shprehet Meta.

I njohur edhe si babai i politikanit dhe shkrimtarit Ben Blushi, ai do ta cilësonte veten si një baba që ishte përpjekur të mos qe shumë autoritar e të mos imponohej me zgjedhjet e tij tek fëmijët, edhe pse i biri i ndoqi gjurmët e të atit në gazetari, letërsi e politikë. I shqetësuar me zhvillimet politike e sociale në vend, Kiço Blushi do të ishte aktiv deri kohëve të fundit me shkrimet e tij kritike. “Por kush shkel mbi emrin e vet, pa u skuqur e pa u zverdhur, duke thënë edhe para kamerave, edhe para popullit të kundërtën e asaj që kanë pas mbrojtur një ditë më parë, nuk ka ngurrim, as cipë në ballë, as ndërgjegje të bëjë të pabërën”, shkruante ai vitin e kaluar në një shkrim të titulluar “Sa mirë o Zot ke bërë, që nuk e kufizove budallallëkun!”. Po të kufizonte budallallëkun, shkruante Blushi, Zoti do të na e kishte hequr mundësinë të dallonim kufirin që ndan të mençurin me budallanë, faqeziun me të ndershmin, horrin me të drejtin, diktatorin me autokratin. Do të shprehej dikur  se që në moshë të re, kishte bërë atë që pëlqente dhe se gjithnjë kishte bërë atë që i ishte dukur e drejtë. I pyetur a kishte qenë ndonjëherë i lumtur, shkrimtari do të përgjigjej “Lumturi të vërtetë nuk kam pasur ndonjëherë dhe nuk jetoj me ekstaza”. Por i kënaqur me jetën, po. Nëse dikur do të thoshte se suksesi i një shkrimtari nuk matej nga fama, ai mundi ta gëzonte mes brezave që u rritën duke parë dhe dashur filmin “Beni ecën vetë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë