Kinema

Ndahet nga jeta aktorja Marika Kallamata, “gjyshja e përrallave”

"Ndonëse ka luajtur dhjetëra role në teatër e kinema, ajo do të mbetet për ne, përherë, gjyshja e përrallave". Kështu e nis lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktores Marika Kallamata, ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Marika Kallamata, aktorja e mrekullueshme, gruaja me pamje të paqtë e zë të ngrohtë, u nda prej nesh, duke lënë pas jo vetëm një galeri të pasur rolesh, kujtimesh të dashura, për të gjithë ata që e njohën nga afër, por edhe timbrin e ngrohtë: Na ishte seç na ishte…! U prehsh na paqe e dashura jonë, që na e përkunde fëmijërinë me mijëra fantazi!”, u shpreh Margariti.

Ndarja nga jeta e aktores së mirënjohur Marika Kallamata, ka sjellë edhe reagimin e presidentit të Republikës Ilir Meta.
Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se, kjo është një humbje e pazëvendësueshme për teatrin dhe kinematografinë shqiptare.
"Ndarja nga jeta e artistes së shquar dhe të dashur Marika Kallamata, është një humbje e pazëvendësueshme për teatrin dhe kinematografinë shqiptare!
Trashëgimia e pasur artistike, galeria e roleve të interpretuara me mjeshtëri të rrallë dhe të gjitha kujtimet që na la pas, nderohen me respekt dhe do të mbahen mend gjithmonë.
Duke ndarë dhimbjen, u përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë!", shprehet presidenti Meta në mesazhin e tij.

Homazhet për aktoren mbahen të hënën, në ambientet e “ArTurbinës”, nga ora 11:00-13:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë