Libra

Ndahen çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2019

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit me anë të një ceremonie në ambientet e Hotel Plaza ka ndarë çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2019.
Gjatë ceremonisë ku rrëmbyen çmimet emra të njohur të skenës letrare të vendit tonë ishin të pranishëm dhe aktorë të cilët sollën interpretime artistike.
Në ceremoni ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila gjatë fjalës përshëndetëse e vuri theksin te prodhimi i pasur letrar gjatë një viti të vështirë.
“Një vit, që do të mbyllej me një tragjedi, atë të tërmetit, por për nga prodhimi letrar ka qenë me të vërtetë i pasur. Do të doja të falënderoja çdonjërin prej shkrimtarëve, poetëve, studiuesve, përkthyesve dhe cilindo që ka zgjedhur rrugën e shkrimtarisë, një rrugë e gjatë, gati vetësakrifikuese”, u shpreh ministrja Margariti.


Juria e kryesuar nga poetja Natasha Lako dhe anëtarët: Lindita Arapi, Sadik Bejko, Thoma Jançe, Ermir Nika, pasi ka shqyrtuar të gjitha veprat e konkurrentëve, ka vendosur për këto vepra fituese:
Romani më i mirë 2019, u shpall vepra “Diktatori në kryq” nga Mira Meksi. Juria kishte vendosur për dhënien e këtij çmimi ndaj Meksit për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më.
Llambro Ruci me veprën “Iliada” fitoi çmimin përkthimi më i mirë 2019, teksa motivacioni për këtë ishte: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.
“Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” nga Matteo Mandala u vlerësua si vepra studimore më e mire 2019, për motivacionin: “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, dhe ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.
Ishte Romeo Çollaku ai i cili fitoi çmimin përmbledhja me tregime më e mire 2019 me veprën “Mikrobus”. Këtë e arriti për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri.
Për çmimin vëllimi poetik më i mire 2019, vepra “Shtjellë reje, shtjellë zjarri” e Alisa Velaj u vlerësua për shkak se libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.
Shkëlzen Zalli fitoi çmimin letërsia për fëmijë më e mirë 2019, nëpërmjet veprës “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli” me motivacionin:
“Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë