Libra

Ndahen çmimet e panairit të librit në Ulqin

Nga Gazeta Si - Ndahen çmimet e panairit të librit në Ulqin, edicioni i 21-të i të cilit bëri bashkë rreth 70 shtëpi botuese nga rajoni.

Organizatorja e këtij panairi, botuesja Irena Toçi, shkruan se u dhanë katër çmime, si: Çmimi “Dega e Ullirit”, Çmimi “Servantes”, Çmimi “Liburnia”, dhe Çmimi “Olcinium”.

“Çmimi ‘Dega e Ullirit’ shkoi për shkrimtarin Xhahid Bushati për përmbledhjen me vjersha ‘Trumcak bredharak’ (Mediaprint).

Çmimi ‘Servantes’ shkoi për Erion Gjatollin, për përkthimin nga italishtja të romanit ‘Ethet’ të Jonathan Bazzi (Toena).

Çmimi ‘Liburnia’ shkoi për shkrimtarin Ridvan Dibra, për romanin ‘Gruaja që deshe’ (Onufri).

Çmimi ‘Olcinium’ shkoi për Fatmir Toci, autor i ‘Arbëreshët midis realitetit dhe mitit’ (Toena)”, shkruan organizatorja Irena Toçi.

Çmimet iu dorëzuan fituesve nga personalitete të kulturës së shkruar, që ishin të pranishëm: drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, shkrimtari Odise Kote, përkthyesi Bujar Hudhri dhe akademiku Neritan Ceka.

Juria që gjykoi këtë herë prurjet e shtëpive botuese pjesëmarrëse në Panair, përbëhej nga personalitete të fushës, si: Arta Marku Qëndro (kryetare), Dorian Koçi (anëtar), Ismet Kallaba (anëtar).

Panairi i Librit zgjat 5 ditë nga 29 korriku deri më 2 gusht, dhe shoqërohet me aktivitete të shumta kushtuar librit, autorëve dhe përkthyesve.

Kjo festë e librit që organizohet prej dy dekadash tashmë, zhvillohet në bregdetin e Ulqinit në kuadër të verës turistike me vizitorë dhe adhurues të librit dhe leximit nga e gjithë bota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë