Bota

Navalni udhëtoi 20 ditë për të shkuar në Arktik në burgun e ri: Jam mirë, mos u shqetësoni

Gazeta Si - Pas rreth 3 javësh heshtjeje, opozitari rus Aleksei Navalni rikthehet në rrjetet sociale nga kolonia penale në Arktikun rus ku u transferua.

“Mos u shqetësoni për mua, jam mirë”, ka shkruar disidenti, duke publikuar një sërë mesazhesh në platformën “X”, në të cilat përshkruan transferimin e tij në një burg 2.000 km larg Moskës, që zgjati 20 ditë dhe kushtet e paraburgimit.

"Tani jetoj mbi Rrethin Arktik. Në fshatin Kharp në Yamal. Qyteti më i afërt ka emrin e bukur, Labytnangi", konfirmon kritiku më i shpër i Putinit në rrjetet sociale, ku me ironi e cilëson veten si "një Santa Claus nën një regjim special“, duke aluduar mjekrën që i është rritur, ndërkohë dhe veshjet e trasha për shkak të të ftohtit.

Udhëtimi 20-ditor “ishte mjaft rraskapitës, por unë jam ende në humor të mirë”, thotë disidenti, i cili u transferua pa asnjë arsye nga një burg i Moskës në zonën e Arktikut.

"Më sollën këtu të shtunën në mbrëmje. Dhe unë u transportova me aq masa paraprake dhe në një rrugë kaq të çuditshme (Vladimir-Moskë- Chelyabinsk-Yekaterinburg-Kirov-Vorkuta-Kharp), sa nuk prisja që dikush të më gjente këtu para mesit të janarit".

Për këtë arsye, "u habita shumë kur dje u hap dera e qelisë me fjalët: ‘Keni një avokat këtu’. Më tha se kisha humbur gjurmët dhe se disa nga ju ishin shqetësuar. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, thotë sërish Navalni.

Në mesazhe, ai përshkruan edhe kushtet e tij të paraburgimit me disa detaje: “Për fat të keq nuk ka drerë, por ka qen kufiri të mëdhenj”, thotë ai.

"Unë shikoj nga dritarja, ku mund të shoh natën, pastaj mbrëmjen dhe pastaj natën përsëri" dhe gardhi "është shumë afër". “Shkova edhe për shëtitje” në një oborr “me borë në tokë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë