Politike

NATO, Stoltenberg apel opozitës: Dhuna e papranueshme, merrni pjesë në zgjedhje

NATO e cilëson si të papranueshme dhunën politike në Shqipëri dhe kërkon që mosmarrëveshjet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Ky është mesazhi i fortë i lëshuar nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg gjatë konferencës për shtyp të dhënë së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe disa orë përpara se opozita të niste protestë e shtatë.

"Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë dhe nuk është ndonjë shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë force. Ajo që është e papranueshme është përdorimi i çdo lloj dhune dhe përpjekje për të minuar institucionet demokratike. U bëj thirrje të respektoni plotësisht institucionet demokratike të gjithë vendeve anëtare.NATO është aleancë politike dhe ushtarake e bazuar në vlerat themelore të demokracisë, shtetit ligjor, institucionet demokratike",  shefi i NATO-s.

Pikërisht vizita e paprogramuar në Tiranë dhe Stoltenberg kishte si qëllim diskutimin mbi krizën politike në Shqipëri, e cila mund të ndikojë edhe në destabilizimin e Ballkanit. Pas një takimi mes dy delegacioneve, Stoltenberg dhe Rama dolën në një konferencë për shtyp. Shefi i NATO-s në fillim të fjalës së tij shprehu ngushëllimet për humbjen e jetës së dy ushtarakëve shqiptarë në Letoni.

Ata u pyetën edhe në lidhje me influencën e Rusisë në Ballkan apo në Shqipëri që mund të ndikojë në destabilizimin e Ballkanit.

Jens Stoltenberg, shefi i NATO-s

"Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë padyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtetet aleate të NATO-s, përfshirë Shqipërinë. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politike të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në dialog dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet, mendimet e ndryshme përmes dialogut dhe jo duke minuar institucionet demokratike. Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për t'u përfshirë në proceset e brendshme politike në vende të ndryshme duke përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve aleate të NATO-s. Duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe ti zgjidhim mosmarrëveshjet përmes proceseve demokratike dhe dialogut politik", theksoi Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se së pari nuk është sekret, që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-s, si dhe ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. "Së dyti, dua të nënvizoj se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte një njollë turpi për ne, si një vend i NATO-s. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s e as të BE. Si e tillë, me apo padashje çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk e duan integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si në NATO ashtu edhe në BE”, u përgjigj Rama.

Kryeministri shprehu vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se "mos marrja pjesë e një pjesë të opozitës nuk preferon të hyjë në zgjedhje kjo nuk i cilëson zgjedhjet jo demokratike dhe se nuk do të lejojë që t'i japë të drejtë "armiqve" që deklarojnë se shqiptarët nuk dinë të bënë shtet".

“Kjo nuk është shfaqje e një shqetësimi të madh popullor, por është një inskenim politik dhe nuk ka shans të shtrihet përtej kufijve të skenës politike. Do të zhvillojmë zgjedhjet si proces i patjetërsueshëm politik. Nëse opozita pengohet qëllimisht zgjedhjet nuk janë demokratike, por nëse dikush preferon të mos hyjë, kjo nuk i bën zgjedhjet jodemokratike”, tha Rama.

Ai theksoi se “është koha të marrë fund periudha e stërzgjatur e tekave politike në raport me procesin demokratik. Siguroj Stoltenberg se gjithë angazhimeve tona në raport me Aleancën i qëndrojmë një për një deri në fund dhe nga ana tjetër jam i bindur se edhe në këtë proces artificialisht të organizuar Shqipëria si një vend i NATO-s, nuk do të cenojë as imazhin e vet dhe as qetësinë e Aleancës Euroatlantike”.

Stoltenberg gjithashtu ka theksuar se NATO nuk do të tërhiqet nga investimi prej 51 milionë USD për ndërtimin e bazës së Kuçosës, pasi është një vendim i marrë më kohë dhe se kjo do të forconte stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, tha gjithashtu se “jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe ju falënderoj për angazhimin e fortë të Shqipërisë ndaj aleancës tonë dhe për angazhimin tuaj personal për udhëheqjen tuaj të fortë politike nën drejtimin e Shqipërisë në rrugën euroatlantike

Takimi me Metën

Shefi i NATO-s më pas i është drejtuar presidencës për t'u takuar me kreun e shtetit, Ilir Meta. Takimi mes tyre nuk ka zgjatur shumë dhe se Presidenca në njoftimin për shtyp nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse kanë biseduar për krizën politike në Shqipëri, duke u mjaftuar vetëm te situata në rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta pret shefin e NATO-s

Kreu i Shtetit, sipas njoftimit për shtyp ka theksuar se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit Stoltenberg se është  detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Organizatën duke investuar çdo përpjekje dhe kontribut në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe njëkohësisht të çdo vendi anëtar. Në këtë kuadër, Presidenti do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 2% brenda 2024, jo vetëm si detyrim por edhe si përgjegjësi për ndarjen e barrës, duke çmuar investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria e pret me entuziazëm anëtarësimin e afërt të Maqedonisë së Veriut në NATO.  Ky ishte vendimi i duhur në kohën e duhur, që shpërbleu zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe falë angazhimit konstruktiv të drejtuesve më të lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si dhe falë bashkëpunimit të pazëvendësueshëm mes ShBA-ve dhe BE-së.

Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi dhe prania e NATO-s në rajonin tonë janë kyç për konsolidimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe BE, kontribuon për një mjedis më të sigurtë në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, - u shpreh Presidenti Meta.

Më tej Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të FSK në ushtri multietnike, dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n.

“Integrimi europian dhe euro-atlantik përbëjnë të vetmen garanci të besueshme për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe begatisë në rajon, bazuar mbi vlerat e përbashkëta, dhe përparimi në këto organizata ia vlen çdo sakrificë dhe punë të palodhur”, - theksoi Meta. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë