Bota

NATO paralajmëron: Lufta në Ukrainë do të përcaktojë fatin e botës

Gazeta Si - “Koncepti i demokracisë duhet mbrojtur sot më shumë se kurrë. Ukrainasit i tregojnë botës se çfarë do të thotë të luftosh për atë që beson. Rezultati i kësaj lufte do të përcaktojë fatin e botës: ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”.

Kështu tha Presidenti i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer, teksa hapi takimin e Shefave të Shtabit të Aleatëve.

Por sipas rusëve, territoret ukrainase janë pjesë e Rusisë dhe vetë ekzistenca e Ukrainës si shtet i pavarur do të provokojë konflikte të reja, ndoshta pas 10-15 vjetësh.

Kështu thotë ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev. "Prania e një shteti të pavarur në territoret historike ruse do të jetë një arsye e vazhdueshme për rifillimin e armiqësive", - shkruan Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në kanalin e tij Telegram.

Sipas Medvedev, "pavarësisht se kush është në pushtet në formacionin kanceroz që mban emrin e Ukrainës", shanset për një luftë të re do të jenë "100%, pavarësisht se çfarë marrëveshje sigurie nënshkruan Perëndimi me regjimin kukull në Kiev”. “

As asociacioni i Ukrainës me BE-në dhe as hyrja e këtij vendi artificial në NATO, nuk do ta pengojnë atë dhe kjo mund të ndodhë pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh”, përfundon ish-presidenti rus.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura Ruse sulmuan territorin e Ukrainës me dronë kamikaze të tipit Shahed: Forcat e Mbrojtjes Jugore shkatërruan 13 dronë armik në tre rajone.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë