Analize

NATO, kushte të hekurta për anëtarësimin e Maqedonisë

Ftesa zyrtare e NATO-s u prit me mjaft entuziazëm në Maqedoni, por anëtarësimi i fqinjit tonë në aleancën e Atlantikut të Veriut duket se do të kalojë në një sërë hallkash të dhimbshme. Pas nisjes së negociatave zyrtare, NATO i ka dërguar tanimë qeverisë maqedonase kushtet zyrtare për anëtarësimin në aleancë, të cilat duket se vijnë si një parapërgatitje edhe për integrimin në BE.

Ftesa e NATO-s erdhi pasi Maqedonia hodhi hapat e parë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes shumëvjeçare me Greqinë, zyrtarizimi i së cilës është caktuar edhe si pikë kyçe për anëtarësimin e Shkupit. Por Maqedonia duhet të deklarojë përkushtim dhe gadishmëri për përmbushjen e standardeve politike të NATO-s, përfshirjen në çështjet e mbrojtjes dhe ushtrisë, pjesëmarrjen në të gjitha strukturat e Aleancës dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve të brendshme, duke filluar nga gjyqësori, tek diskriminimi i grupeve entike. “Alsat M” publikoi një ditë më parë dokumentin e dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ku përfshihen të gjitha obligimet dhe reformat që Shkupi duhet të ndërmarrë në mënyrë që procesi i aderimit të finalizohet në mënyrë të suksesshme. Por a do të ketë qeveria maqedonase vullnetin për t’u shkuar deri në fund zgjidhjes së njëpasnjëshme të të gjitha problemeve politike dhe etnike të vendit?

Sundimi i ligjit

Sundimi i ligjit është një ndër kushtet kryesore që i është Shkupit zyrtar edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Vendi i vogël i Ballkanit është i njohur për abuzimin me pushtetin, skandalet e brendshme politike dhe kapjen e një pjesë të mirë të institucioneve nga politika. 

Skandali më i fundit erdhi vetëm disa javë më parë, kur opozita tentoi t’i bënte presion qeverisë së Kryeministrit Zoran Zaev nëpërmjet referendumit për ndryshimin e emrit. VMRO DPMNE-ja ka kërkuar amnisti për zyrtarët e vënë nën akuza, në këmbim të përkrahjes së referendumit, përfshirë këtu edhe amnstinë për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Ky është vetëm një nga shembujt që tregon se Maqedonia duhet të fokusohet në çlirimin e institucioneve shtetërore nga kontrolli politik dhe zbatimin me përpikmëri të ligjeve dhe kushtetutës. Një tjetër problem i sundimit të ligjit në Maqedoni janë dhe liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Sipas indeksit demokracisë  për vitin 2017, qeveria maqedonase ka shkelur disa nga liritë dhe të drejtat e njeriut, përfshirë këtu edhe të drejtën për mos t’u diskriminuar për shkak të përkatësive etnike. Ligji kundër diskriminimit ka hasur vështirësi në normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve, apo posaçërisht mes qeverisë së Maqedonisë dhe popullit shqiptar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kryeministri Zoran Zaev

Liria e mediave është një tjetër e drejtë që është shkelur vazhdimisht në vendin fqinj.

Raportet ndërkombëtare konfimojnë se mediat në Maqedoni keqpërdorin shpesh lirinë e informimit, duke filtruar lajmet në përputhje me nevojat e qeverisë ekzistuese, duke fshehur të vërtetën dhe duke manipuluar publikun.

Pavarësia e gjyqësorit

Krizat politike dhe institucionale në Maqedoni përgjatë viteve të fundit, kanë nxjerrë në pah të gjitha të metat dhe dështimet e sistemit kushtetues dhe politike të vendit. Ashtu si Shqipëria, edhe Maqedonia ka probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë, pasi pjesa më e madhe e gjyqtarëve janë të lidhur me politikën. Përgjimi i bisedave telefonike të politikanëve maqedonas zbuloi si përdorej gjyqësori për interesa politike, cilat ishin rrjetet e ndikimit, korrupsionit dhe klientelizmit. Ky zhvillim përkeqësoi perceptimin e publikut dhe shtoi edhe më shumë mosbesimin e qytetarëve ndaj gjyqësorit. Pavarësia e gjyqësorit është jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por edhe në procesin e integrimit europian. Për shkak të rëndësisë thelbësore, një nga prioritetet kryesore të qeverisë maqedonase është reforma e gjyqësorit. Për këtë qëllim, qeveria miratoi kohët e fundit Strategjinë e Reformës Gjyqësore 2017-2022, për krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe një këshill më të fortë dhe më të fuqishëm gjyqësor.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Protestë në Maqedoni 

Lufta kundër krimit të organizuar është kthyer vitet e fundit në një nga prioritetet strategjike të qeverisë maqedonase. Krimi i organizuar është fuqizuar përmes organizimit të grupeve kriminale që veprojnë në nivele rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas një raporti të publikuar një vit më parë, bandat përdorin të gjitha burimet financiare në dispozicion për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe në situata të caktuara përdorin edhe bizneset ligjore për fshehjen e pasurive. Fushat kryesore të krimit të organizuar në Maqedoni janë droga, trafikimi, kontrabandimi i emigrantëve, krimi kibernetik, kontrabanda e mallrave dhe evazionit fiskal. Këto banda kanë zakonisht edhe një ndikim të madh në sferën politike të vendit.

Maqedonia vuan gjithashtu edhe nga shkalla e lartë e korrupsionit në sektorin e shërbimeve publike dhe institucioneve shtetërorë. Ato vuajnë nga korrupsioni i përhapur, patronazhi politik, konfliktet e interesit dhe mungesa e aftësive teknike. Një nga fenomenet më të përhapura është dhënie e ryshfeteve për zyrtarët publikë, me qëllim përshpejtimin e shërbimeve. Zyrtarët nga ana tjetër, përdorin pozicionet e tyre për t'i bërë presion jo vetëm qytetarëve të thjeshtë, por edhe bizneseve të ndryshme. Këto të fundit raportojnë se ryshfeti mund të ndihmojë në përshpejtimin ose përfundimin e procedurave administrative. Ndryshimet e shpeshta në legjislacion dhe rregulloret e njëpasnjëshme duket se kanë krijuar një mjedis biznesi të paparashikueshëm, që favorizon korrupsionin dhe përdorimin e inspektimeve për qëllime politike.

Zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit

Zbatimi i plotë Marrëveshjes së Ohrit është vendosur gjithashtu si një nga pikat kyçe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, për shkak të përplasjeve ndëretnike mes shqiptarëve dhe Maqedonasve. Ajo u nënshkrua para 13 vjetësh për përmirësimin e raporteve shoqëroro-politike mes dy grupeve etnike. Kjo kontratë mes shqiptarëve dhe maqedonasve erdhi pas konfliktit të armatosur në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare dhe përfshinë disa pika kyçe:

Firmosja e Marrëveshjes së Ohrit
  • Parimet themelore;
  • Ndërprerjen e armiqësive;
  • Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;
  • Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;
  • Procedurat e posaçme kuvendore;
  • Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;
  • Shprehja e identitetit;
  • Implementimi;
  • Anekset
  • Dispozitat përfundimtare.

Edhe pse Maqedonia ka hartuar një sërë ligjesh për diskriminimin dhe barazinë etnike, shqiptarët vazhdojnë të mbeten të paragjykuar. Të intervistuar nga “Alsat TV” një pjesë  e qytetarëve shqiptarë shprehen se nuk punësohen, se kanë të vështirë të përfaqësohen në Kuvend dhe se të rinjtë diskriminohen në pothuajse të gjitha institucionet. Kornizat kushtetuese dhe ligjore të Maqedonisë garantojnë një gamë të gjerë të të drejtave dhe lirive, por zbatimi i tyre dhe debatet mbi ligjin e diskriminimit kanë krijuar përçarje të mëdha politike. Pavarësisht përpjekjeve,zhvillimet e dy dekadave të fundit kanë prodhuar dy shoqëri paralele që bashkëjetojnë në të njëjtin vend por kanë shumë pak lidhje me njëra-tjetrën. Me zgjerimin e boshllëqeve etnike dhe shoqërore, qeveria maqedonase duhet të ndërhyje sa më parë për të lidhur fijet e komunikimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Zbatim i plotë i marrëveshjes me Greqinë

Gati një muaj më parë, Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe lideri i Maqedonisë Zoran Zaev nënshkruan një marrëveshje për të zgjidhur konfliktet e hidhura dhjetëvjeçarëve mbi emrin. Megjithatë, emri Maqedonia e Veriut është kundërshtuar ashpër nga nacionalistët në të dyja vendet, të cilat kanë sulmuar udhëheqësit e tyre duke i konsideruar si tradhtarë. Aspiratat e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian janë bllokuar për vite të tëra nga Greqia, e cila vuri veton ndaj anëtarësimit të Shkupit në NATO një dekadë më parë dhe gjithashtu ka shfrytëzuar anëtarësimin e saj në BE për të ndaluar Maqedoninë të hapë negociatat për t’u bashkuar me unionin.  Mosmarrëveshja për emrin ka zgjatur kaq shumë sepse i ka shërbyer Greqisë si një mjet për të mbajtur nën kontroll fqinjin e saj të vogël.

Por tani vjen pjesa më delikate e marrëveshjes, e cila duhet të aprovohet më një referendum kombëtar në Maqedoni dhe me një votim në parlamentin grek, duke i dhënë vendeve si Rusia një mundësi për ta shkatërruar.   Edhe pse dy kryeministrat kanë marrë kontrollin e çështjes, ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara Mattheu Nimetz ka të ngjarë të thirret disa herë nga të dyja qeveritë, për të zgjidhur problemet me partitë opozitare. Mosfunskionimi i marrëveshjes do të ishte një goditje e madhe jo vetëm për dy kryeministrat, por edhe për ambiciet e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE.

Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe lideri i Maqedonisë Zoran Zaev

Reformat në shërbimet e sigurisë dhe zbulimit

NATO  ka kërkuar gjithashtu një sërë reformash për fuqizimin dhe ushtrisë dhe policisë maqedonase:

  • Të sigurohet se nuk ekzistojnë kufizime ligjore apo kushtetuese që mund të pengojnë operacionet kolektive të mbrojtjes, të rishqyrtohen procedurat e brendshme për dërgimin e forcave ushtarake jashtë shtetit.
  • Të sigurohet se të gjitha qëllimet strategjike për zhvillimin, transformimin dhe funksionalizimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes dhe aftësitë janë në pajtueshmëri me anëtarësimin e ardhshëm në NATO.
  • Të fillojë zbatimi i planeve për ristrukturimin dhe modernizimin e forcave ushtarake në mënyrë që të arrihen kapacitetet ushtarake të planifikuara dhe zhvillimin e forcave më të afta, të disponueshme dhe qëndrueshme për të kontribuar në misionet e Aleancës.
  • Niveli i shpenzimeve në mbrojtje të jetë i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për ristrukturimin dhe modernizimin e forcave ushtarake, në mënyrë që Aleancës ti ofrojë kontribut efikas etj.

Burimet: "Freedom House", "Transparency International", "Balkan Insight", Departamenti Amerikan i Shtetit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë