Gazeta Si – Shqipëria do të jetë mikpritësja e Samitit të ardhshëm të NATO-s në vitin 2027. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, gjatë konferencës për shtyp pas përfundimit të samitit të NATO-s në Ankara.
Rutte në deklaratën përmbyllëse tha se takimi i liderëve më të fuqishëm botërorë të zhvendoset në Tiranë, ndonëse data ekzakte mbetet ende për t’u përcaktuar.
“Samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri e ka vendosur Haga, por do të vendosim për kohën se kur do të zhvillohet”, deklaroi Rutte para gazetarëve.
Megjithatë, kreu i NATO-s theksoi se për momentin nuk ka një datë konkrete në kalendar për zhvillimin e këtij samiti historik. Konsultimet mes vendeve anëtare do të vijojnë për të gjetur periudhën më të përshtatshme përgjatë vitit 2027.
Edhe kryeministri Edi Rama, nga Ankaraja ka shuar zërat për anulimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Në një video-mesazh nga Samiti i Turqisë, Rama tha se ka ikur koha që bënin cfarë të donin me Shqipërinë.
“Sot Shqipëria bën atë që thotë dhe bën atë që thotë. Samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri”, tha Rama.
Ndërkohë, aleatët e NATO-s kanë marrë një zotim historik për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke shënuar një kapërcim të madh nga objektivi i mëparshëm prej 2%.
Gjatë përmbylljes së samitit në Ankara, Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, pranoi se ekziston ende një hendek investimesh mes shteteve anëtare dhe nënvizoi se krahas nevojës për rritje të fondeve, ku disa vende kanë arritur të shpenzojnë deri në 10 miliardë dollarë brenda vitit, sfida kryesore mbetet krijimi i kapaciteteve të nevojshme për t’i menaxhuar këto buxhete.
“Ka një fare hendeku midis disa shteteve, por ka disa ekonomi të mëdha, ato ishin para disa vitesh 2%, tani të gjithë të zotuar për 5. Disa shtete kanë shpenzuar 10 mld dollarë për një vit, normalisht që duhet të shpenzojnë më shumë, por edhe duhet kapacitete për t’i shpenzuar këto fonde%”, – tha Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur të SHBA-ve dhe Donald Trump ndaj Aleancës, duke e cilësuar presionin e Uashingtonit për pagesat e evropianëve si një “faktor irritues”, por pozitiv në arritjen e rezultateve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje