Futboll

Napoli fitore me dedikim për Maradonën, Milani kryeson i shkëputur

Napoli synonte një mbrëmje lavdie, motivimi ishte shumë i fortë dhe nuk mund të gabonte. Donte një fitore për t’ia dedikuar Diego Armando Maradonës. Ndaj Romës me Xhekon nga minuta e parë, skuadra e Gatuzos ia arriti qëllimit, rezultati 4-0 i përgjigjet asaj që priste qyteti nga kjo ndeshje.

Dy ekipet duke mbajtur 1 minutë heshtje për nder të Maradonës. Gazeta Si, 29 nëntor 2020

Lorenco Insinje ishte protagonist i mbrëmjes, shënoi golin që zhbllokoi rezultatin dhe më pas dha asistin për Fabian Ruiz, që realizoi golin e dytë. Vunë shenjën e tyre në këtë fitore të thellë edhe Mertens dhe Politano. Napoli i ka dhuruar qytetit një kënaqësi të veçantë, një fitore dedikuar Maradonës. Drejtuesit e klubit kishin zgjedhur fanella bardhekaltër, me vija vertikale, për nder të Maradonës dhe Argjentinës, vendit të tij.

Mjaft emocionuese ishte minuta e heshtjes para ndeshjes, ndërkohë që në ekran shfaqeshin imazhe të “Pibe de oro”. Lojtarët mbajtën një shirit të zi në krah, siç ndodhi në fakt në çdo ndeshje të Serisë A. Munguan në këtë ndeshje dy futbollistët shqiptarë, Elseid Hysaj i dëmtuar te Napoli dhe Marash Kumbulla i prekur nga Covid-19 te Roma.

Milani feston një gol ndaj Fiorentinës. Gazeta Si, 29 nëntor 2020

Milani vazhdon të tregojë një formë të mirë në kampionat dhe pas fitores së pastër, 2-0 ndaj Fiorentinës, është i shkëputur me 5 pikë në krye të klasifikimit. Kuqezinjtë kanë bindur edhe pa Ibrahimoviçin. Golat e fitores u shënuan nga Romanjoli dhe Kesi me penallti. Milani ndodhet në kuotën e 23 pikëve, i ndjekur nga Interi dhe Sasuolo me nga 18 pikë, dhe Juventusi me 17 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë