Libra

Namik Dokle, një roman homazh për poetët që u vranë edhe shpirtërisht

“Për poetët e pushkatuar dhe të varur, jo më pak për ata që u vranë shpirtërisht”... kështu nis romani më i ri i Namik Dokles, “Kolerë në kohë të dashurisë”.

Me anë të një historie dashurie, Namik Dokle ka zhbiruar të shkuarën, duke sjellë në vëmendje edhe njëherë fatet e trishta të poetëve shqiptarë që u vranë dhe u pushkatuan.

“Që në botimin e romanit të parë, mua nuk më ka interesuar as historia dhe as personalitetet historike, mua më interesojnë viktimat e historisë. Këtë libër unë ua kam kushtuar botës së brendshme, vuajtjeve, strapacimeve dhe atyre që janë dëmtuar prej historisë”, shprehet shkrimtari Namik Dokle, ndërsa rrëfen para të pranishmëve në stendën e Botimeve Toena, ngjizjen e romanit më të ri “Kolerë në kohë të dashurisë”, i përuruar në ditën e dytë të panairit në Pallatin e Kongreseve.

Për Namik Doklen, ky roman i cili vjen edhe si një lloj homazhi për poetët e letërsisë shqipe, ndoshta mund të kishte një rrjedhë tjetër, po të mos merrte fakte jetësore.

“Këtu në Tiranë është një shpi botuese që quhet ‘Klubi i poezisë’, që drejtohet nga Rexhep Shahu dhe Izet Duraku, të cilët kanë bërë një aktivitet për Havzi Nelën dhe për tre poetë të tjerë të pushkatuar. Ata kanë organizuar një grup me gazetarë, shkrimtarë dhe janë bërë pelegrinazhe në shtëpinë dhe në fshatin e Havzi Nelës. Pastaj është bërë pelegrinazh dhe te shtëpitë e Genc Lekës, Vilson Blloshmit, Trifon Gjagjikës në Peshtan të Tepelenës”, shprehet Dokle, teksa pranon se ata i kanë dhënë një material jetësor të jashtëzakonshëm.

Nga romani i letërsisë botërore “Dashuria në kohën e kolerës” nga Gabriel Gracia Marquez, Dokle sjell një version të përmbysur.

“Kolerë në kohë të dashurisë’ është e kundërta e asaj që kemi lexuar nga letërsia botërore. Në këtë roman fjala kolerë përveçse në titull përmendet ose një herë ose dy herë. Nuk ka sëmundje të kolerës në këtë roman, ka një dashuri, e cila tenton të rrëmojë të shkuarën”.

Romani "Kolerë në kohë të dashurisë" nga Namik Dokle

Në qendër të librit, si personazh kryesor vjen një poet i pushkatuar, që nuk i gjendet varri. E për të sjellë sfondin e atyre viteve, Dokle sjell historinë e dashurisë së një studenti, martiri me një Antigonë, (Antigona e ka marrë emrin nga daja i saj poet, i cili e ka marrë nga skena e dytë e Sofokliut), të cilët pasi kanë marrë pjesë në demonstratat e dhjetorit vendosin të shkojnë të kërkojnë eshtrat e poetit.

“Antigona është mbesa e poetit të vrarë dhe Valmiri është shoku i saj, të cilët shkojnë të kërkojnë eshtrat dhe nuk i gjejnë sepse dihet që ka qenë shumë e vështirë në Shqipëri në atë kohë, ku e ekzekutuan edhe 4 poetë”, vijon Dokle, teksa vë në pah se “romani u kushtohet jo poetëve të vrarë dhe të varur, por edhe atyre të vrarë shpirtërisht”.

Për botuesen Irena Toçi, ky libër i Dokles ashtu si edhe romanet e tjerë të tij do të rrëmbejë tregun shqiptar.

“’Kolerë në kohë të dashurisë’ është romani i tij i katërt. Besoj që do rrëmbejë shumë shpejt tregun shqiptar. Dokle me letërsinë e tij ka kaluar edhe kufijtë”.

Ndërsa, për studiuesin e letërsisë, Behar Gjoka, romani i Dokles sjell një realitet të dhimbshëm me anë të një dialogu identifikues.

“Ky është një libër ku ndesh realitetin tronditës, të një kohe pa kohë, derdhur në një strukturë të beftë, që zbulon botën romanore, fatin e poetëve dhe të qenies, nëpërmjet rrjedhës së ndërlikuar subjektore si dhe një dialogimi tipizues dhe identifikues”.

Namik Dokle me copëzat e këtyre jetëve që shpërfaqen artistikisht në këtë roman duket se do të “trazojë” edhe kujtimet e frikërat e atyre kohëve të plot shkrimtarëve të tjerë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë