Treg

Nafta rritet me 3%, ndërsa i bie prodhimi

Nafta është rritur me 3% të hënën teksa u rrit numri i vendeve që anoncuan se do të nisnin lehtësimin e masave karantinuese si dhe u ul prodhimi i saj nga vendet naftëprodhuese më të mëdha në botë.

Kërkesa botërore për naftë ka rënë gjatë prillit me afërisht 30% e kryesisht prej urdhërave të qëndrimit në shtëpi dhe konsumit të dobët që pritet të zgjasë në këtë treg për disa muaj. Ndërkohë analistët janë shprehur se vendimet e shpejta të OPEC + për të reduktuar naftën mund të ulin nivelin e mbytjes që i është shkaktuar tregut prej ofertës së lartë.

“Unë mendoj se gjërat po vijnë duke u përmirësuar në tregun e naftës”, shprehet Gene McGillian zëvëndës presidentja e kërkimeve të tregut të energjisë për kompaninë "Tradition Energy" në Stamford, Connecticut.

Nafta bruto LCOc1 është aktualisht 27.20 dollarë fuçia, ajo është rritur me 76 centë ose me 2.9% nga sesioni i mëprashëm i tregtimit. Ndërsa nafta bruto West Texas Intermediate (WTI) Clc1 është rritur me 61 centë, ose me 3.1% nga dita e djeshme dhe fuçia është 20.39 dollarë sot.

“Presim që uljet e prodhimit të japin efekt e të shfaqen së shpejti...së bashku me faktin që shumë prej vendeve të ShBA-së dhe të Europës po rinisin aktivititetin e tyre ekonomik e po dalin gradualisht nga izolimet”, shton McGillian.

Italia, Finlanda dhe disa shtete të ShBA-së janë disa prej qeverive të shumta që po ulin masat izoluese për të mundësuar ringritjen e ekonomive të tyre, por zyrtarë të ndryshëm paralajmërojnë për hapa shumë të kujdesshëm teksa numri i të infektuarëve nga koronavirusi ka kaluar 3.5 milionë dhe ai i vdekjeve është në afro 250 mijë.

Falë ndërprerjeve të reja të naftës që u realizuan këtë muaj nga OPEC-u dhe aleatët e tij oferta e naftës dhe gazit pritet të ulet gjatë tremujorit të dytë të 2020-ës në nivele që nuk janë parë në të paktën 17 vite.

Goldman Sachs shprehet se sa vjen e bëhet më optimiste për faktin se çmimet e naftës do të rriten gjatë vitit të ardhshëm si rezultat i prodhimit të ulët dhe rimëkëmbjes së pjesshme të kërkesës.

Banka e Wall Street-it e ka ngritur parashikimin e saj të 2021-shit për çmimin e naftës bruto Brent në 55.63 dollarë fuçia nga 52.50 që kishte parashikuar më parë. Ndërsa për çmimin e naftës bruto WTI ka parashikuar se fuçia do të jetë 51.38 dollarë.

Rishfaqja e tensioneve të tregtisë midis ShBA-së dhe Kinës kanë limituar rritjen e çmimeve.

“Rritja e kërkesës nga Kina në tregun e energjisë tani është pak a shumë e vetmja kërkesë serioze pasi akoma shumica e vendeve janë në hapat e para të heqjes graduale të masave karantinuese” , shprehet Bob Yawger drejtor i kontratave me afat të produkteve energjitike në kompaninë Mizuho.

Çmimet e naftës kanë mbuluar një pjesë të humbjeve të tyre, të shkaktuara kur ato ranë në nivele rekord të ulëta. Ndërkohë Steve Mnuchin, sekretari i thesarit i ShBA-së, shprehet se pret që tregu i naftës të rimëkëmbet dhe se administrata e Trump-it është duke parë për rezerva shtesë për ruajtjen e këtij produkti.

Burimi: Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë