Futboll

Myrto Uzuni, djali që lante pjatat si emigrant dhe donte të ishte si Ronaldo

Performanca e Myrto Uzunit në Champions League nuk kaloi e pa vërejtur në mediat ndërkombëtare. Goli i tij i bukur ndaj Juventusit të “mitit” të tij Cristiano Ronaldo, dhe sfida që e pret tashmë me Barcën e Leo Messit, e kanë shndërruar në protagonistin e një interviste të gjatë me gazetën prestigjioze spanjolle “AS”.

“Kur isha 10-vjeç familja ime vendosi të largohej nga Berati, për të emigruar drejt Greqisë. Kishte vetëm dy mënyra. Ose duke kaluar malet, një udhëtim tre ditor dhe tre netë me vëllain e vogël 3-vjeç mbi shpinë, ose të paguaje 8.000 euro për udhëtim të paligjshëm, por të sigurt. Prindërit zgjodhën mundësinë e dytë dhe këtu fillon historia. I detyrohem gjithçka familjes time, e cila u kthye në Shqipëri në mënyrë që të luaja futboll. Unë kurrë nuk hoqa dorë nga ëndrra ime.

Ne shkuam për të pasur një jetë më të mirë në Greqi. Babai im punoi me rrugët, ndërsa nëna ime lante enët në një restorant. Unë gjithashtu duhej të punoja, duke ndihmuar mamanë. Punoja 12 orë dhe luaja futboll, edhe pse më duhej të ngrihesha në 6:00. Unë kurrë nuk e ndalova ëndrrën time. U përpoqa të bëja një provë te Olimpiakos në mënyrë që ata të mund të shihnin talentin tim, por nuk munda, pasi nuk i kisha dokumentet në rregull. Ky ishte momenti kur babai tha se ishte më mirë të kthehesha në Shqipëri në mënyrë që të mund të luaja për një ekip futbolli. Ata sakrifikuan për mua”, tregon ndër të tjera Uzuni

‘’Dhe kështu u rikthyem përsëri në Berat për të luajtur për ekipin e qytetit. Një trajner më vëzhgoi dhe më transferoi në klubin e tij, Apolonia. Në miqësoren e parë shënova dy gola . Dhe pas gjashtë muajve të gjitha klubet më kërkonin," thotë ai. Stërvitja ishte autodidakte, pa ndihmë, sepse si fëmijë nuk kishte mundësi të ishte në ndonjë akademi’’.

“Cristiano Ronaldo është referenca ime, unë e di historinë e tij, kam lexuar gjithçka për të. Ishte motivi im. Në Shqipëri nuk ka shumë akademi. Ky ishte problemi. Unë gjithashtu duhej të paguaja 12 euro në muaj për të shkuar në stërvitje dhe pesë për fugonin që të më dërgonte në ndeshje. Nuk kisha para dhe nuk ndaloja së qari në shtëpi’’.

Pas Apolonisë ai u aktivizua me Laçin, siç ishte kur shënoi në minutën e fundit kundër Anortosis që i kualifikoi në raundin e dytë të Europa League ose në barazimin ndaj Molde, në të cilin befasoi edhe Solskjaer. "Ai ishte trajneri i Molde. Ai më tha se unë kisha luajtur mirë dhe se mund të isha në çdo skuadër nëse do të doja’’. Paraqitja pozitive e çoi atë te Lokomotiv në Zagreb dhe, pas dy vitesh, te Ferencvaros, megjithëse Espanyol dhe Mallorca e kontaktuan në mars, por me pandeminë nuk u konkretizuan.

Për të ardhmen, Uzuni tregohet me këmbë ne tokë, “ Nuk dua të bëj gabime. Dua vetëm të shënoj dhe të jap asiste. Ëndrrat i kam të mëdha por nuk dua t‘i zbuloj”, vijon rrëfimin futbollisti beratas për prestigjiozen “AS”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë