Art dhe Kulture

Muzeu i Biblës zgjeron programet për të tërhequr më shumë vizitorë

Pas gati dy vitesh dhe 2 milionë vizitorëve, Muzeu i Biblës synon të kthehet në një muze të vërtetë arti, duke hapur programe të reja, që synojnë rritjen e audiencës. Muzeu është financim i Steve Green-it, i cili vjen nga një familje të krishterësh konservatorë evangjelistë, pronarë të kompanisë më të madhe në botë të shitjeve me pakicë të objekteve të artit, ‘Hobby Lobby’.

Duke filluar nga ky muaj, ai po përgatitet të hapë ekspozita të përkohshme që do të fokusohen më shumë tek Krishtlindjet, Pashkët apo festa të tjera shpirtërore afrikano-amerikane. Kjo nismë është marrrë nga menaxherët e artit, Michael M.Kaiser,  ish-drejtuesi i Qendrës Kennedy dhe Kryetari i Institutit të Menaxhimit të Arteve në Universitetin Maryland. Kaiser po ndihmon drejtuesit e lartë të institucionit, të cilët nuk kanë asnjë përvojë në muze, për të ndërtuar një filozofi që ta bëjë atë të jetë gjithnjë i hapur.

“Michael na sfidonte shpesh duke na thënë : Ju e ndërtuat këtë muze, por tani çfarë bëni me të?”, tha Ken McKenzie, një veteran 38 vjeçar i industrisë së aviacionit, që u bë shefi ekzekutiv i muzeut në nëntor të vitit të kaluar.I ndodhur pranë Capitol, në muze janë ekspozuar artefakte të lashta të sjella nga shumë vende të botës, si dhe paraqitje interaktive të Biblës.

 Por ky muze ka ngjallur jo pak diskutime. Nuk është për t’u çuditur, që në Muzeun e Biblës ka shumë Bibla… dhe muzikë biblike…histori të shkruara në hebraisht, madje edhe veshje të modës me dizajn me temë biblike. “Mëson shumë gjëra në këtë muze, por ne jemi përqendruar tek rrëfimi dhe ndikimi i historisë. Do të donim që vizitorët të angazhohen më tepër personalisht tek ky libër i mahnitshëm”, shprehej drejtori i muzeut, dy vjet më parë.

Synimi ishte të krijohej një mjedis në të cilin ndjeje sikur je në një vend të ndryshëm 2 mijë vjet më parë. Në Muze ka artefakte të lashta impresionuese, disa prej të cilave të huazuara nga jashtë vendit, të tjera pjesë e koleksioneve të shumta të antikiteteve të familjes Green; disa prej tyre, rezulton se janë nxjerrë kontrabandë nga Iraku dhe më pas janë blerë pa e ditur burimin nga familja Green. Ata i konfiskuan objektet, kundrejt një gjobe prej 3 milionë dollarësh.

Kur muzeu me vlerë 500 milionë dollarë hapi dyert nga Capitol më 17 nëntor të vitit 2017 numri i vizitorëve që donin të shihnin konceptimin e tij ishte i madh. Vetëm 1 milionë vizitorë do të regjistroheshin vetëm disa ditë pas përvjetorit të parë të tij. Tashmë nga hyrja falas muzeu ka ndryshuar politikat duke vendosur bileta me pagesë të cilat janë 24,99 $ për të rriturit dhe 14,99 $ për fëmijët e moshave nga 6 deri në 17 vjeç (me një zbritje prej 5 $ për biletë nëse blihen në internet). Pavarësisht këtij ndryshimi, zyrtarët thonë se pjesëmarrja këtë vit ka mbetur sërish rreth 1 milionë vizitorë. Ky numër vizitorësh e vendos atë bri muzeve të tjera të njohura në Amerikë. Muzeu është përfshirë edhe në kritika për shkak të pikëpamjeve konservatore të krishterta të pronarëve të tij. Por duket se njerëzit e botës së artit të cilëve u është besuar konceptimi i hapësirave të reja do ta kthejnë atë në një destinacion religjioni liberal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë