Analize

Mustafa president? Çfarë po e vonon qeverinë e re në Kosovë

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 muaj që nga zgjedhjet e parakohshme, askush në Kosovë nuk e ka idenë se kur do të nisë detyrën qeveria e re. Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike kanë arritur tanimë një marrëveshje për postin e kryeministrit, programin e qeverisë dhe ndarjen e ministrive, por “patatja e nxehtë” është karrigia e presidentit. Ajo duket se po mban peng formimin e qeverisë se re.
Duke qenë se ka marrë numrin më të madh të votave, Albin Kurti është ulur tanimë këmbëkryq në karrigen e kryeministrin, me Vjosa Osmanin krah tij si zëvendëskryeministre dhe me shumë mundësi Ministre e Jashtme. Por për kreun e LDK-së, Isa Mustafa, qeveria e re nuk mund të zyrtarizohet pa zgjedhur se kush do të pasojë Hashim Thaçin në 2021-in. Ai e ka bërë të qartë së dëshiron të ulet në këtë karrige.
Analisti nga Kosova, Fitim Salihu i thotë Gazetës “Si” se deri në vitin 2021 asgjë nuk mund të parashikohet me siguri, por sugjeron se kreu i LDK-së do të jetë më shumë mundësi kandidati i koalicionit qeveritar për president.

Fitim Salihu. Gazeta Si, 2019


“Duke marrë parasysh faktin se Kurti do të jetë kryeministër, me shumë gjasa Isa Mustafa do të jetë kandidat i koalicionit VV-LDK për president në vitin 2021. Por, në një vit e gjysmë ka shumë procese përpara dhe shumë ujë mund të rrjedhë”, thotë ai për Gazetën “Si”.
Ekspertët thonë se Lidhja Demokratike e Kosovës preferon që të gjitha çështjet, nisur nga ndarja e ministrive e deri te posti i presidentit të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme ndërmjet Kurti dhe Mustafës. Këmbëngulja e LDK-së për presidentin e ardhshëm që do të vijë në krye të shtetit në vitin 2021 vjen për të shmangur një skenar që mund të cojë në rrëzimin e qeverisë: nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje në parakoshme. Mustafa e ka bërë të qartë se LDK-ja nuk preferon një marrëveshje koalicioni që do të zgjaste një vit e gjysmë.
Vetëvendosja deri më tani nuk arritur t’i rezistojë presionit, edhe pse sipas ekpertëve duket se mungon dëshira për të debatuar për presidentin në këtë faze. Kurti është përqendruar deri më tani tek ndarja e ministrive dhe detyrave. Por edhe pse premtoi se Kosova do të kishte një qeveri të re në nëntor, gjërat duket e nuk po shkojnë sipas planit.
Salihu i thotë Gazetës “Si” se deri më tani në Prishtinë ka pak informata se çfarë po ndodh mbrapa dyerve të mbyllura ku po mbahen negociatat VV-LDK. Por çfarë po i ngadalëson këto bisedime?

Albin Kurti dhe Isa Mustafa


“Certifikimi i rezultateve zgjedhore është vonuar. Për rrjedhojë edhe po të arrihet marrëveshja, prapëseprapë nuk mund te krijohet qeveria menjëherë. E dyta, sipas gjasave, është pengesa dallimeve ideologjike. Kemi të bëjmë me dy parti që kanë profil ideologjik jo vetëm të ndryshëm, por edhe të kundërt, një parti e djathtë dhe një e majtë natyrisht do të do kenë vështirësi që t’i shkrijnë dallimet në një program qeverisës”, thotë analisti.
Debatet kryesore deri më tani kanë qenë jo vetëm për karrigen e presidentit por edhe të ministrit të Jashtëm nuk do të duhej të komplikonte bisedimet që si qëllim kanë arritjen e një marrëveshjeje.
Fillimisht u përfol me siguri se ky post do t’i kalonte Vjosa Osmanit, por përgjatë javëve të fundit në sipërfaqe kanë dalë emra nga më të ndryshimit, duke filluar nga Veton Surroi, e deri tek ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Synimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së është që të krijojnë një qeveri me 12 apo maksimumi 15 ministri.
Por sipas Salihut edhe në këtë pikë ka pak transparencë.
“Ajo që dihet me siguri, bazuar në atë që vetë palët kanë deklaruar publikisht, është se gjthsej qeveria do të ketë 12 ministri dhe se kryeministri do t’i takojë partisë fituese, pra VV-së dhe liderit te saj, Albin Kurtit. Sa i përket ndarjes, me shumë gjasa, dy partitë do ta ndajnë hisen 50 me 50”, i thotë ai Gazetës “Si”.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Gazeta Si, 2019

Ndërkohë, gjatë takimeve në nivelin e grupeve punuese, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, sipas përfaqësuesve të tyre, janë dakorduar rreth programit qeverisë. Ekspertët në Kosovë thonë se me marrjen e postit të kryeministrit, Lëvizja Vetëvendosje mund t’i kalojë LDK-së atë të kryetarit të Kuvendit.
LDK-ja aktualisht nuk po preferon nisjen e bisedimeve në nivelin kryetarësh, pasi po pret certifikimin e rezultatit zgjedhor. Takimet ndërmjet grupeve punuese nga të dyja partitë kanë përfunduar, por faza tjetër e bisedimeve, ku do të ndahen edhe posten kryesore, është shtyrë, pavarësisht këmbënguljes së Vetëvendosjes për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shpallur rezultate përfundimtare, por pothuajse të gjitha partitë politika kanë pasur ankesat e tyre. Votat me zarf nga Serbia cuan në helmimin e disa anëtarëve të KQZ-së, ndërkohë që Kosova ka nisur rinumërimi të gati 1,500 vendvotimeve. Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor thonë se ky proces mund të zgjasë deri në tri javë. Deri atëherë beteja e brendshme për pushtet mes LDK-së dhe VV-së do të vazhdojë.

 

Më Shumë