Libra

Mustafa Nano i çon lexuesit në Manastirin e Kongresit

Për gazetarin dhe publicistin, ngjarje më të rëndësishme në botën e shqiptarisë së shekullit XX se Kongresi i Manastirit, nuk ka. Gegë e Toskë, myslimanë e të krishterë u bënë bashkë u bënë bashkë 102 vite më parë,  në emër të ndërgjegjes laike të një kombi, ndërsa vetëdijet kombëtare të krahinave që ndaheshin nga Perandoria Osmane në agoni ishin zgjuar më herët, qysh në shekullin e 19-të.

Për Mustafa Nanon, i cili gjithherë ka provokuar me temat e ndasive të mëdha të Shqipërisë së vogël, me botimin e librit “Unë jam Gegë” apo me “one man shoë”-t  e tij në teatër, ku mendimet e tij kanë ngacmuar nervat e myslimanëve, libri “Një javë në Manastir”, botuar pak ditë më parë nga UET PRESS,  duket se i ka bërë bashkë të gjitha.   Treni mbërrin në “Ters Dünya”, Jeta e Grigor Toskës, Në ditën e “Shën Fredit”,  Prej manastirit në Manastir janë katër kapitujt e librit të ri, prej 338 faqesh.

“Ajo që e bënte të veçantë Manastirin- sepse sot për fat të keq nuk e bën më, ka qenë natyra multi-etnike”, do të thoshte autori, gjatë mbrëmjes përuruese, ndërsa i shihte miqtë e të pranishmit të mbuluar me maskat mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Godina ku u mbajt Kongresi i Manastirit, sot Muzeu i Alfabetit, Bitola, Maqedoni e Veriut

Sot Bitola apo  “Битола” për maqedonasit, Manastiri ishte, në fjalët e Nanos, Ballkani par excellance i shekullit XX. “Këtu kam dashur të sjell për lexuesin një fotografi, të 100 viteve më parë. Si ka qenë Shqipëria dhe si ka qenë Ballkani në atë periudhë”, thotë autori, i cili e sjell këtë libër të ri për lexuesit pas largimit nga emisioni “Provokacija” dhe pak para Panairit të Librit, që këtë vit do të mbahet vetëm online.

Ngjarjet rrëfehen përmes syve të një anglezi, Robertit, bashkëshorti i një albanologeje të quajtur Matildë.

“Nuk kam parë në Toskëri askënd që të vijë vërdallë i armatosur,” i kishte thënë ajo.

“Ndërsa në Gegëri, edhe pse bota ka hyrë në shekullin XX, ti mund të shohësh ende malësorë që janë pa këmishë në shtat, por  jo pa pushkë e pa gjerdan fishekësh.”

Është ky portretizimi  që përmes Robertit, i bën Nano popullsisë këtej e andej Shkumbinit.

“Përpiqem ta shoh Ballkanin dhe Shqipërinë  përmes syve të një anglezi, që përveçse vizitor ka ca halle të tjera”, do të thoshte Nano, ndërsa trilli letrat e bën protagonistin të shkojë në zemrën e Ballkanit për të vërtetuar atësinë e së bijës.Romani është historik pohon Nano,  por duke  saktësuar se nuk i ka qëndruar besnik portretizimit të personazheve historikë si Mid’hat Frashëri, Gjergj  Fishta, Luigj Gurakuqi apo Edith Durham.Për këtë kujdeset që në fillim të librit të shkruajë se përputhjet me personazhe e ngjarje reale të historisë janë ose të pjesshme, ose të rastësishme.

Kongresi i Manastirit, 14-22 nëntor 1908

Fabula e zgjedhur, ishte ajo që i jepte dorë autorit për ta ndirçuar ngjarjen e Manastirit. Ndonëse në përshkrimet e një të huaji, ngjan si një turizëm historik e gjeografik – vetë Nano thotë se kanë qenë shënimet e mbi udhëtimet në Shqipëri  të të huajve që ndikuan për ta shkruar librin – ai i shpreh mendimet dhe qëndrimet e tij për popullin shqiptar.

“Ky sfond historik më ka bërë mua që të bëja më të rrjedhshme fabulën e romanit, duke ndriçuar ngjarjen e Kongresit të Manastirit, që për mua është ndër më të rëndësishmet në historinë e Shqipërisë. Për herë të parë në histori u bënë bashkë gegë edhe toskë, myslimanë edhe të krishterë. Një sens të tillë bashkimi, që na e sjell kjo ngjarje, s’ka ekzistuar më parë për shkak të vetëdijes së dobët të shqiptarëve, por as më pas, sepse shqiptarët e kanë çuar vendin deri në prag të luftës civile, siç ndodhi në vitin 1997. Prandaj, mendoj se ajo ngjarje evidenton më të mirën e sojit të shqiptarëve, që ne duhet ta konservojmë edhe ruajmë”, do të thoshte ai gjatë përurimit të librit, ndërsa 14 nëntori përkujton këtë vit 102 vjetorin e javës që hodhi bazën e alfabetit shqip dhe identitetit kombëtar.

***

Në fakt, përqasur me fqinjët, kombi shqiptar kishte bërë më pak bujë në histori. Ose kishte bërë bujë me gjeste, që nuk dukej se ndihmonin ruajtjen apo forcimin e njëjtësisë kombëtare. Kur të tjerët kishin, apo krijonin, kishat e tyre, të krishterët shqiptarë u ndanë pa të keq në dy kisha, në atë katolike e në atë ortodokse, të cilat ishin më të gatshme të bashkëpunonin me fenë e superfuqisë aziatike sesa me njëra-tjetrën. Kur të tjerët krijuan shtetet e perandoritë e tyre, shqiptarët ishin të ndarë në principata të vogla. Deri në shekullin XV nuk doli askush të rrihte t’i bënte bashkë. Dhe në atë mes u bë pengesë edhe përçarja fetare. Për fat, ia behu në histori Gjergji i Kastriotëve. Pa të, shqiptarët nuk do të përfilleshin fare, e për rrjedhojë askush nuk do të pajtohej me ekzistencën e kombit shqiptar. Por periudha e Kastriotit të madh ishte e shkurtër. Pas sagës së tij erdhi sundimi i gjatë osman, dhe shqiptarët, të mësuar ta relativizonin rëndësinë e fesë, nuk e patën për gjë ta braktisnin fenë e të parëve e të merrnin fenë e pushtuesit. Ndërrimi i fesë ndodhi tejendanë në Ballkan, ç’ishte e vërteta, por gjetkë prozelitët gjendeshin gjithnjë nën trysninë e kishës së tyre, ndoshta edhe të identitetit më të fortë etnik, që ishte farkëtuar prej epopeve të tyre shtetërore e perandorake. Pas kryengritjeve antiturke gati njëshekullore, që ishte vijim inercial i shkëlqimit skënderbejan, shqiptarët u zhdukën  sërish nga skena e historisë. Gjithçka që bënë më tutje ishin rrokme vetjake në kontekstin perandorak, krejt të palidhura me ndonjë emocion etnik. Madje, kur u rizgjuan në mesin e shekullit XIX, nuk dinin çfarë ishin.

***

Me pak faqe, Mustafa Nano,përmes anglezit Robert përmbledh  të gjithë përpjekjen e shqiptarëve për çështjen e identitetit kombëtar, pa harruar të prekë edhe njëherë temën e tij të parapëlqyer;  identifikimin me  religjionin dhe ndasitë krahinore.

***

Edhe Skënderbeun gat e kishin harruar. Në ato rrethana, ata që morën përsipër ta ringjallnin kombin, duhej t’ia nisnin nga e para, të përndjekur prore nga dyshimi se nuk kishin për të qullosur ndonjë gjë. Ishin të përçarë në gegë e toskë, në të krishterë e myslimanë.

Më tej, myslimanët e ortodoksët i jepnin më shumë rëndësi identitetit fetar sesa atij etnik, katolikët ishin shumë të lidhur me identitetin e tyre lokal e nuk shihnin gjë tjetër përtej botës së tyre të ngushtë, gegët myslimanë, sidomos ata kosovarë, nga frika e asimilimit prej fqinjëve të veriut, kishin gjetur strehë te identiteti osman. Ajo përçarje ishte ngeculla e madhe që nuk i la shqiptarët të bëheshin bashkë...

Pllaka në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, sot Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe

***

Për këtë autori e gjykon Kongresin e Manastirit si momenti kulmues në bashkimin e një populli.

Pse Kongresi u mbajt në Manastir? – pyet personazhi i tij, Roberti.

***

-Sepse Manastiri është kryeqendra e një vilajeti me shumicë shqiptare, – iu përgjigj Grigori. – Është edhe një qytet me rëndësi të madhe administrative, politike,  diplomatike.

-Nuk do të ishte më mirë në ndonjë qytet tjetër, ku popullsia shqiptare të ishte shumicë?

-Epo ne shqiptarët e Manastirit qëlluam më atdhetarë,

– tha Grigori me një ton hokatar. – Vendosëm për ta kryer këtë punë, dhe e kryem.

“U deshnë mundime të mbëdha atë për të-bërë,” ia bëri Foti instinktivisht me vete, gjë që ishte edhe një mënyrë për ta hequr vëmendjen prej bisedës e për t’iu rikthyer kujtimeve.

***

Përmes  librit “Një javë në Manastir”,  Nano sjell në një formë më të lehtësuar, më pak formale e të mërzitshme ngjarjet politike , por edhe rrugëtimin e një populli drejt vetëdijes kombëtare, duke mos anashkaluar edhe çështje që e ndezin debatin fort edhe në ditët e sotme, si ajo e origjinës së heronjve kombëtare dhe pretendimeve edhe të disa studiuesve të shek.XXI se Skënderbeu fjala bie ishte serb. A vjen kjo se shqiptarët i harrojnë heronjtë e tyre apo se ishin kombi më pa bujë e ndoshta ca më i vonuar në zgjimin e identitetit apo siç mendonte albanologia Matildë, shqiptarët ishin viktima të pafajshme dhe jetimë në mes të interesave të Europës?

Përmes “Një javë në Manastir” , ndoshta  edhe lexuesi do të shohë me sytë e largët të një turisti si Roberti për të kuptuar më mirë ato ngjarjet që ua vlojnë shqiptarëve gjakun, ashtu si shprehja e famshme e Bismarkun se Shqipëria është thjesht një çështje gjeografike...

Bitola sot mund të mos thotë asgjë për banorët e qytezës multi-etnike, por Manastiri i dikurshëm e ruan ende shkëlqimin, për t’iu kthyer edhe përmes letërsisë, në një roman historik i endur me një fije trilli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë