Ekspozite

‘Mural Fest’, nga perëndesha shqiptare te një muze i hapur i pikturës

Nga Gazeta Si - “Kur mendoj për Ballkanin apo Europën Lindore, mendoj për traditën, baladat popullore, kostumet e bukura dhe përrallat e vjetra.  Ndaj më lindi ideja për të pikturuar një personazh që është pothuajse si një perëndeshë apo muzë e Shqipërisë”.

Kështu shprehet artisti rumun Bogdan Scutaru për pikturën që ngjan si një Monaliza moderne në një nga fasadat e pallateve në Tiranë.

Piktura e realizuar nga artisti rumun

Kjo është një ndër 8 fasadat e pikturuara nëpërmjet “Mural Fest”, një prej festivaleve më atraktive për të gjithë ata që e duan të bukurën, që jo vetëm u jep shpirt mureve më të bukura të qytetit, por edhe lë gjurmë në hapësirat urbane të tij.

Këtë vit, “Mural Fest” vjen në edicionin e katërt të tij ku përmes artistëve nga e gjithë bota ‘lulëzon’ fasadat e pajeta të kryeqytetit.

“Doja të pikturoja diçka që të jep një ndjenjë historie dhe rrënjë të thella që shkojnë pas në shekuj apo edhe mijëvjeçarë”, vijon artisti rumun për pikturën e tij që mishëron stilet dhe kulturën tonë popullore, ndërsa shton se “kjo është diçka që në vendet tona nuk është eksploruar sa duhet, por mund të sjellë një frymë dhe energji të re për të gjithë”.

Artisti rumun, Bogdan Scutaru

Kuratori Helidon Haliti shprehet se për Gazetën “Si” se “Mural Fest” synon një zhvillim të ri për Tiranën, duke e renditur atë bri qyteteve kryesore të botës. 

“Mural Fest do lërë vepra të mëdha cilësore dhe që do hyjnë në hartën e muraleve të botës”, thotë Haliti për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “këto vepra përveçse do zbukurojnë kryeqytetin, do ta bëjnë Tiranën një muze të hapur të pikturës së eksterierit si dhe futjen e saj në hartën botërore, me emra shumë të mëdhenj në artet publike”.

Sipas kuratorit Haliti, në krahasim me vitin e shkuar këtë vit festivali vjen me një sërë risish.

“Risia e parë është sepse Tirana këtë vit është kryeqyteti i rinisë. Në këtë edicion kemi artistë nga disa vende të botës, duke nisur nga Argjentina, nga Amerika, nga Uruguai. Kemi pothuajse të gjitha vendet e Europës dhe Anglinë”.

Një tjetër risi është prania e artisteve vajza.

“Kemi të ftuar disa artiste vajza. Ka ardhur një nga Londra, një nga Uruguai, të cilat kanë bërë dy mure në Tiranë”.

Tematika e sivjetme është ‘Youth’, pra rinia me perceptimin e artistëve të ndryshëm.

“Tema ndonjëherë u jep vështirësi artistëve pasi i kushtëzon në kreativitet”.

E teksa artistët e huaj këto ditë përpiqen të lënë gjurmët e tyre me magjinë e ngjyrave dhe ndërthurjen e elementëve, nuk u shpëtojnë dot syve kureshtarë të qytetarëve.

“Atje ku ne po pikturojmë, mahnitja është shumë e madhe pasi muret që po pikturojmë janë tejet të mëdha. Pra, njerëzit nuk reagojnë aspak negativisht, Tirana tanimë është bërë pjesë e hartës botërore të muraleve”.

Sipas kuratorit, festivali në njëfarë mënyre vjen edhe si simbolikë e shprehive të lira artistike, duke ringjallur pikturën monumentale, dikur reminishencë e sistemit të mbyllur.

Ndër të tjera, Haliti do të zbulojë se arti mural i ka fillesat nga lëvizja “Street Art” që në vitet 1997.

“Është një lëvizje e Street Art që i ka fillesat rreth viteve 1997 dhe në këto momente prek kulmin e saj. Kemi fatin që Tirana do pasurojë muret nga më të mëdhenjtë e Europës”, thotë Haliti.

Festivali në Tiranë do të vijojë deri më 30 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë