Futboll

Mungon atmosfera, ndeshjet në Angli do transmetohen me audion e “FIFA20”

Mungesa e tifozëve në stadium sigurisht që e bën të vakët atmosferën e ndeshjeve të futbollit, por në Angli kanë një ide interesante. Fansat e futbollit në këtë vend duan të kenë konfidencë me ndeshjet dhe duan që ato të transmetohen në televizor me audion e “FIFA20”. Do jetë ekzaktësisht kjo audio që ata do të dëgjojnë në televizor me rifillimin e kampionatit më 17 qershor.

Në mbledhjen e ardhshme të parashikuar për të enjten, klubeve të Premier Ligës do të kërkohet, nëse janë dakord që gjatë ndeshjeve të transmetohet edhe zhurma e publikut të marrë nga video-lojërat apo jo. Përdorimi i kësaj audioje duket opsioni i preferuar I kampionatit anglez për t’i dhënë ngjyra spektaklit televiziv të ndeshjeve që do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Fjalën e fundit do ta kenë klubet dhe nëse do të jepet “ok”-i, do të jetë një opsion fakultativ për spektatorët në Mbretërinë e Bashkuar, që aktivizohet me pultin e televizorit.

Të 92 ndeshjet e mbetura të kampionatit do të transmetohen direkt, pjesa më e madhe nga “Sky Sports” dhe “BT Sport”, por edhe “Amazon Prime” dhe “BBC” kanë të drejtën për disa ndeshje. Të tjera risi që do t’u propozohen klubeve në mbledhjen e radhës parashikojnë një mozaik me portretet e tifozëve në tribuna çdo ndeshje, përsëritje 360° dhe një telekamer taktike shtesë. Të gjitha propozimet, sipas “Daily Mail”, duhet të aprovohen pa problem.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë