Futboll

Muça: Nuk zgjidhet gjë me ultimatume, e tmerrshme të rrimë pa sport

Në Shqipëri nuk ka nisur ende asnjë aktivitet sportiv. Të vetmet skuadra të angazhuara janë ato katër që marrin pjesë në Kupat e Europës, ndërsa kampionati kombëtar i futbollit është bojkotuar deri në një afat të pacaktuar. Liga Profesioniste dhe FSHF-ja kërkojnë me ngulm plotësimin e disa kërkesave nga ana e qeverisë, që pranon të ulet në bisedime dhe kompetencat për këtë i janë deleguar deputetit Fidel Ylli, një ish-sportist.

A është bojkoti mënyra e duhur për zgjidhjen e çështjes? Shkëlqim Muça, një specialist futbolli, ish-futbollist i Tiranës dhe Kombëtares dhe ish-zyrtar klubi, gjykon që jo. “E kam thënë që në fillim, bojkoti është një masë ekstreme në këtë situatë”, thotë Muça për Gazeta Si. Më tej, si shprehet se palët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt, përderisa ekziston vullneti, dhe të zhbllokojnë situatën, sepse, sipas tij, është e tmerrshme të rrihet pa sport.

Shkëlqim Muça, specialist futbollit. Gazeta Si, 16 shtator 2020

“Me ultimatume nuk zgjidhet asgjë, nuk është kjo mënyra e duhur. Palët, me sa kam parë, kanë vullnet për ta zgjidhur këtë punë, kështu që duhet të negociojnë në një tavolinë dhe sa më parë të jetë e mundur. Për ne njerëzit e sportit është e tmerrshme që në mes të shtatorit të jemi pa sport. E theksoj, pa sport, sepse nuk është vetëm futbolli që ka ngërç, janë të gjithë sportet. Situata është e tillë dhe duhet ulur në bisedime për t’i dhënë zgjidhje.

Kërkesat e Ligës? Ato duhen vlerësuar nga specialistët e fushës, ekonomistë, juristë e financierë, por çdo gjë bëhet në tavolinë bisedimesh dhe jo me deklarata në distancë. Një pjesë mund të jenë të realizueshme. Ajo që mund të them është se nuk i duhet dhënë ngjyrim politik çështjes. Më vjen keq për persona të caktuar, që shohin bardhezi: është bërë, apo nuk është bërë për sportin. Mendoj se është bërë jo pak, por kuptohet që ka gjithmonë për të bërë në të ardhmen. Janë bërë investime dhe infrastruktura ligjore më duket e mirë”, është shprehur Muça për Gazeta Si.

Thirrja e tij për të gjithë faktorët është që t’i jepet fund sa më parë bojkotit. “Mendimi im është që të nisë kampionati që këtë javë, pastaj palët le të vazhdojnë punën e tyre për zgjidhjen e këtyre pikave”, - përfundon specialisti i njohur kryeqytetas.

Dritan Kadia, sekretari i Ligës Profesioniste. Gazeta Si, 16 shtator 2020

Liga, e vendosur për “protokollin” e saj
Çfarë do të ndodhë këto ditë, a do të ketë bisedime nga afër? Sekretari i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia, i cili sot ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit Fidel Ylli, për Gazeta Si sqaron se bisedimet do të bëhen vetëm me Kryeministrin Edi Rama.

“Ne, pra Liga, e kemi përcaktuar qartë në mbledhjen e fundit, se çfarë do të bëjmë. Më 21 shtator kemi lënë mbledhjen tjetër dhe aty do të marrim vendimin e radhës. Më 19 shtator është parashikuar që skuadrat të zbresin në fushë dhe të lexojnë katër kërkesat tona ndaj qeverisë. Kjo është e gjitha. Ne jemi në një fazë, ku presim realizime dhe jo premtime, ndaj duam të takohemi me Kryeministrin Rama, pasi është ai që i ka bërë premtimet. Janë kërkesa që dihen prej kohësh, qeveria i di, ne kemi pasur bisedime me grupet e interesit, ku i kemi diskutuar dhe ezauruar këto çështje, tani nuk ka pse t’u kthehemi sërish. Tani presim vetëm realizimin e premtimeve”, - tha sekretari Kadia mes të tjerash.

Në gjithë këtë situatë, bën përshtypje fakti që nuk ka pasur asnjë qëndrim nga ana e KOKSH-it (Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar). FSHF-ja kuptohet që është krahun e Ligës dhe së fundi nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar. Gazeta Si mëson se edhe Sindikata e Futbollistëve kërkon që të jetë pjesë e tavolinës së bisedimeve mes përfaqësuesve të Ligës dhe qeverisë.

Katër kërkesat e Ligës
Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë