Futboll

Mrekullia Xhirona, si Leiçesteri i 2016-ës? Trajneri Miçel më mirë me numrat se Ranieri

Gazeta Si – Pas gjysmës së parë të kampionatit, skuadra e trajnerit Miçel ndan vendin e parë me Realin, me pikë të barabarta. Histori e ngjashme me Leiçesterin e sezonit 2015/16, madje katalanasit janë më mirë për momentin, me 9 pikë më shumë se skuadra angleze.

Me 15 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje në 19 javë të La Ligës, 4 gola të shënuar ndaj Barcelonës dhe Atletiko Madrid, si dhe vendi i parë i ndarë me Real Madrid, Xhirona ka bërë që të gjithë të flasin për të. Këtë sezon tifozët e saj po përjetojnë një përrallë, që të gjithëve u kujton titullin e Leiçesterit të Klaudio Ranierit në sezonin 2015/16, kur ajo skuadër surprizoi Premier Ligën.

“Nuk mund ta mbajmë ritmin e Madridit, nuk duam të mbajmë etiketën e sfidantit", - ka deklaruar trajneri Miçel pas fitores ndaj Atletiko Madrid. Megjithatë, koinçidenca me ecurinë e pabesueshme të Leiçesterit 8 vjet më parë i bën tifozët e Xhironës të ëndërrojnë.

Si anglezët, edhe Xhirona nuk ka eksperiencë në nivelin elitar të futbollit në Spanjë, luan sezonin e 4-t në La Liga. Vitin e kaluar e mbylli në vend të 10-të. Si skuadra e Ranierit në 2015/16 e mbylli fazën e parë në vend të dytë, me pikë të barabarta me Realin (Reali kampion dimri nga ndeshja direkt). Tetë vjet më parë Leiçesteri ishte i pari bashkë me Arsenalin, me nga 39 pikë, Xhirona sot ka 9 pikë më shumë.

Skuadra e katalanase është një mrekulli: ka sulmin më të mirë dhe bën një lojë spektakolare dhe efikase. Të mendosh që në fund mund të fitojë titullin nuk është e pamundur. Është esenca e pasionit të futbollit, ku asgjë nuk është e pamundur.

Po kush është trajneri Miçel? Mesfushor i talentuar i Rajo Valekanos mes viteve ’90-2000, Miguel Angel Sançez Munjoz, i njohur si Miçel, në karrierën e tij si trajner ka ngjitur në La Liga Rajon (2018) dhe pastaj Hueskën (2020), por bujë ka bërë me Xhironën.

Miçel dhe Ksavi. Gazeta Si, 5 janar 2024

Në 2022-shin ai arriti ta ngjitë këtë skuadër mes më të mirëve, një vit më pas e mbajti pa probleme në La Liga dhe sot po jeton ëndrrën e kryesuesit, falë një loje argëtuese dhe spektakolare, me presing dhe zotërim hapësirash. Moduli 4-3-3 është i preferuari dhe stili i lojës afrohet me atë të Mançester Sitit të Guardiolës.

Pas një jete në kampionatet inferiore, 10 vjet më parë Xhirona kërkoi ndihmën e tifozëve të saj për të larë borxhet. “El Girona tambien es mio” (Xhirona është edhe imja) ishte motoja e nismës që solli grumbullimin e 300 mijë eurove dhe evitoi falimentimin e klubit.

Në atë kohë iu hap porta e hyrjes pronarëve aktualë. Në gusht të 2017-ës, 44% e aksioneve u ble nga ‘City Football Group’ dhe 44% të tjera nga ‘Girona Football Group’ e drejtuar nga Pere Guardiola, vëllai i Pep, që aktualisht ka detyrën e presidentit të këshillit administrativ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë