Lajme

Mrekullia Madagaskar në çerekfinale, kalon pa probleme Algjeria

Ndeshje e pambarimtë në Aleksandri, me një fund të lumtur për Madagaskarin, që po vazhdon të mrekullojë në Kupën e Afrikës. Ekipi modest ka eliminuar edhe Republikën Demokratike të Kongos pas gjuajtjes së penalltive dhe është kualifikuar për në çerekfinale. Koha e rregullt e kësaj ndeshjeje u mbyll 2-2, me kongolezët që barazuan në minutën e fundit.

Emocione pa fund në Aleksandri. Pjesa e parë u mbyll 1-1, ku Madagaskari kaloi në avantazh me Amadën që në minutën e 9-të. Bakambu barazoi me portën thuajse të boshatisur, por 13 minuta para fundit Mdagaskari rigjeti avantazhin me Andriatsima. Megjithatë, nuk ishte e thënë që ndeshja të mbyllej në kohën e rregullt, sepse në minutën e fundit kongolezët barazuan nga një goditje këndi. Shtesat nuk ndryshuan asgjë në rezultate dhe kualifikimi u vendos nga ruleta e penalltive. Lojtarët e Madagaskarit i realizuan të gjitha penalltitë që gjuajtën, kurse Republika Demokratike e Kongos gaboi penalltinë e parë dhe të katërt, duke u eliminuar. Madagaskari vazhdon t’i befasojë të gjithë me këtë ecuri fantastike në Kupën e Afrikës.

Algjeria feston një nga golat e shënuar ndaj Guinesë

Algjeria e pati shumë të lehtë ndaj Guinesë, të cilën e mundi 3-0. Belaili shfrytëzoi pasimin me thembër të Bounedjah dhe shënoi golin e parë për Algjerinë. Goli i dytë mban firmën e Mahrez pak pas fillimit të pjesës së dytë, ndërsa golin e tretë e shënoi lojtari i Napolit, Ounas. Surpriza më e madhe deri tani në Kupën e Afrikës është eliminimi i Egjiptit të Mohamed Salah.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë