Futboll

Mourinjo shuan ëndrrën e Shkëndijës, Milani vuan me Bodon

Për një moment, kur Valmir Nafiu barazoi, u duk se Shkëndija e Tetovës do të bënte surprizën ndaj Totenhemit, por më pas anglezët shënuan edhe dy gola të tjerë dhe tashmë janë në turin tjetër, atë të “play-off”-it të grupeve të Ligës së Europës. Lamela, Son dhe Kejn janë autorët e tre golave për skuadrën e Mourinjos në këtë ndeshje, që u mbyll 1-3. Titullar në formacionin e trajnerit Ernest Gjoka ishte edhe mesfushori Bruno Dita.

Nafiu feston golin ndaj Totenhemit. Gazeta Si, 24 shtator 2020

Milani ka vuajtur jo pak për kualifikimin ndaj norvegjezëve të Bodo Glimt, që kaluan të parët në avantazh, por u mundën 3-2. Pa Ibrahimoviç, trajneri Stefano Pioli hodhi në fushë 18-vjeçarin Kolombo, i cili shënoi një gol. Dy golat e tjerë u shënuan nga turku Çalhanoglu. Surprizë në këtë tur ishte eliminimi i Beshiktashit në fushën e tij nga Rio Ave.

Emocionet e Ligës së Europës i kanë provuar edhe tre lojtarë shqiptarë të Lokomotivës së Zagrebit, Kallaku, Çokaj dhe Mersinaj ishin në fushë nga minuta e parë ndaj Malmoes, që u tregua e pamëshirshme dhe fitoi 5-0. Është eliminuar edhe Drita e Kosovës nga polakët e Legias së Varshavës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë