Futboll

Mourinjo replikon: S’jam problemi i Romës, kam refuzuar ofertën më të çmendur në histori

Gazeta Si – Pas një nate pa gjumë, për shkak të 4 ‘shpullave’ në Xhenova, Zhoze Mourinjo doli në konferencë shtypi në prag të ndeshjes me Frozinonen në ‘Olimpico’. Ai ka larguar çdo hipotezë largimi të mundshëm nga Roma, pavarësisht momentit të vështirë në këtë fillim të sezonit.

"Nuk jam unë problemi, e dimë të gjithë. Janë të gjitha gjëra të vogla që ndodhin në një skuadër. Kam dhënë fjalën time dhe do ta respektoj deri më 30 qershor 2024. Jam këtu për të luftuar çdo ditë për lojtarët, klubin dhe tifozët.

Vetëm një person mund të më thotë që të largohem para 30 qershorit, ai është z.Friedkin. Nëse nuk ma thotë, do të jem këtu. Nuk kam frikë të dal në fushë dhe të kontestohem”, - ka theksuar Mourinjo.
Ditët e fundit ka pasur kritika për trajnerin portugez. Mario Baloteli e ka sulmuar, duke thënë se Mourinjo duhet të marrë edhe përgjegjësitë, ashtu siç merr lëvdatat kur Roma fiton.

“Duhet të jemi kurajozë për të bërë kthesën. Duhet të pranojmë reagimin e romanizmit, që mund të jetë suport, por mund të jetë edhe manifestim pakënaqësie. Duhet të kemi respekt për këtë manifestim.

Kam thënë se do të qëndroj që në Hungari. Gjatë periudhës së pushimeve kam marrë ofertën më të çmendur të punës që një trajner mund të ketë marrë në historinë e futbollit. E kam refuzuar për fjalën që u kam dhënë lojtarëve, Friedkin dhe tiofozëve. Tani duket sikur unë jam problemi, por nuk e pranoj këtë”, - ka shtuar Mourinjo.

Nga burime jo zyrtare është mësuar se trajneri portugez ka refuzuar 30 milionë euro në vit nga Al Hilal në Arabi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë