Ka ndodhur

Moti i keq, situatë problematike në Shkodër

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit në vendin tonë, sollën problematika në disa qytete të vendit.

Por situata vijon të jetë problematike në Shkodër, pasi Bashkia e Shkodrës në një njoftim zyrtar thotë se rruga në Obot vijon të mbetet e bllokuar, ndërsa uji deri në 150 cm lartësi, 8 shtëpi të përmbytura.

Bashkia thotë se në total në të gjitha njësitë administrative 137 shtëpi janë të rrethuara nga uji. Ndërkaq 4,050 hektarë tokë janë nën ujë.

Niveli i ujit në disa oborre të shtëpive ka shkuar deri në 140 centimetra, por ka shtëpi të përmbytura dhe rrugë të pakalueshme.

Ndër të tjera, bashkia thotë se ka nevojë për bazë ushqimore për bagëtitë. Ndërkohë sasia e ujit është e lartë dhe banorët kanë vështirësi në transportimin e ushqimeve për bagëtinë.

Shirat e rënë gjatë natës kanë shkaktuar probleme edhe në zonën e Shijakut. Megjithëse lumi Erzen është futur në shtratin e tij, ka lënë pasoja.

Uji është futur në katet e para të disa banesave duke i përmbytur totalisht, ndërsa dhjetëra të tjera janë izoluar pasi oborret kanë prezencë uji.

Ndërkohë, Korporata Elektroenergjetike po vijon të monitorojë nivelin e ujërave si dhe prurjet në kaskadën e lumit Drin.

Prurjet natyrore totale në kaskadë për momentin, bën të ditur KESH, janë 1930 m3/s.

Prodhimi në të tre Hec-et është:

Hec Fierzë, 8,007 MWh (ditor)

Hec Koman, 13,693 MWh (ditor)

Hec Vau Dejës, 4,420 MWh (ditor)

KESH thotë se prodhimi total plotëson të gjithë kërkesën për energji elektrike të konsumit për vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë