Lajme

Moti i keq, përmbytje dhe dëme në zonat turistike

Reshjet e dendura të shiut pas veriut kanë zbritur në jug të vendit dhe kanë sjellë një sërë problemesh sidomos në qytetet bregdetare që janë në kulmin e pritjes së turistëve.
Mbrëmjen e kaluar u përmbytën disa lagje në qytetin e Vlorës. Punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve kanë punuar deri në orët e para për zhbllokimin e pusetave.
Ndërkohë, edhe në plazhet e Orikumit stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, sidomos në bizneset buzë detit. Problematika ka pasur edhe në bregdetin e Shëngjinit. Moti i keq ka sjellë disa aksidente.

Në Vërdovë të Pogradecit 9 persona mbeten të plagosur në aksidentin e ndodhur në afërsi të rrugës së ish minierës së qymyrit. Ata udhëtonin në një mjet tip Land Rover nga Kalivaçi në drejtim të Pogradecit.

Në Qarkun e Gjirokastrës moti i keq ka shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Në orët e para të mëngjesit një pemë është shkulur si pasojë e erës së stuhishme dhe shirave të rrëmbyeshëm pranë Doganës së Kakavijës, duke sjellë edhe bllokimin e qarkullimit drejt Greqisë. Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e para të mëngjesit, duke bërë të mundur hapjen e rrugës për automjetet.
Si pasojë e motit të keq në shumë qytete ka munguar energjia elektrike. Ndërprerje energjie ka pasur në disa fshatra të Korçës. Po ashtu ka pasur ndërprerje energjie në Bashkinë Tepelenë dhe Kurvelesh.
Në Bashkinë Memaliaj mungon energjia elektrike në Njësinë Administrative, Lopes, Qesarat, Luftinje, Buz, Krahes. Ndërsa në Bashkinë Dropull po punojnë për hapjen e rrugëve nga pemët e rrëzuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë