Ka ndodhur

Moti i keq, nga Velipoja në Durrës turistët braktisin plazhet dhe detin (Foto-Video)

Moti i keq këtë të diel ka përfshirë edhe zonat bregdetare të vendit. Pushuesit kanë braktisur plazhin e Durrësit për shkak të reshjeve të shiut, që janë shoqëruar me stuhi dhe rrufe.

Moti i keq me erë, reshje dhe stuhi ka prekur edhe vijën bregdetare të Velipojës, duke detyruar turistët që të braktisin plazhin, të paktën për këtë të diel me shpresën se në ditët në vijim do të rikthehen temperaturat për të shijuar rrezet e diellit.

Me uljen e temperaturave dhe reshjeve të shiut, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shëngjin dhe në plazhin e Tales në Lezhë.

Në rrugët hyrëse e dalëse të qytetit të Lezhës e kryesisht në rrugët lidhëse me bregdetin, trafiku është rënduar së tepërmi, veçanërisht nga pushuesit ditorë që vijnë nga Kosova.

Policia është e vendosur në të gjitha kryqëzimet kryesore në gatishmëri të plotë për të normalizuar situatën.

Ballkani po goditet nga fenomeni i ashtuquajtur “Liqeni i ftohtë”, i cili shkaktoi përmbytjet vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë