Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme kanë sjellë problematika në disa zona.
Mësohet se ka dalë nga shtrati lumi Ishëm e për pasojë dhjetëra hektarë tokë janë nën ujë në fshatrat Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj.
Kjo është hera e tretë që përmbyten brenda një harku kohor prej një muaji.
Mësohet se nuk ka pasur persona të lënduar apo dëme në banesa, por vetëm në bujqësi pasi tokat kanë qenë të mbjella.
Pezullohet lundrimi i trageteve Durrës-Bari
Moti i keq në dy anët e Adriatikut ka pezulluar lundrimin e trageteve natën e kaluar mes portit të Durrësit dhe atij të Barit e anasjelltas.
Tragetet e linjës kanë mundur të nisen vetëm mëngjesin e sotëm, rreth orës 06.00 dhe pritet të mbërrijnë pas mesditës në portet respektive. Kapitaneria e portit detar të Durrësit bën me dije se në det të hapur dallgëzimi është 6 ballë, ndërsa në Gjirin e Durrësit deti regjistron forcën 5 ballë.
Përmbytjet në Elbasan/ Dy zona pa energji elektrike
Reshjet e shumta të shiut në Elbasan kanë sjellë prurje të përrenjve. Raportohet për depërtim uji në disa banesa dhe prezencë gurësh e inertesh nëpër akset rrugore.
Në fshatrat Hotolisht dhe Polis në bashkinë Librazhd ka probleme me energjinë elektrike.
Në lumin Drin e Mat janë rritur prurjet, por nuk përbëjnë rrezik për të dalë nga shtrati. Në Lezhë, problem është furnizimi me energji elektrike.
Rikthehen përmbytjet në Shkodër
Pas reshjeve të shumta të shiut përmbytjet janë rikthyer në Shkodër. Deri më tani janë përmbytur 1330 hektarë tokë.
Rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë dhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës në fshatin Bërdicë e Sipërme.
Në Finiq, ndahet në dysh një urë e kanalit ujitës
Reshjet e rëna gjatë natës kanë shkatërruar në një gjatësi gati 100 metra strukturën ajrore të kanalit më të madh vaditës “Thoma Filipeu” në bashkinë e Finiqit.
Kanali u shërben qindra fermerëve të zonës dhe është vepra më e rëndësishme në funksion të bujqësisë në këtë bashki.
Shirat kanë shkaktuar rrëshqitje serioze në disa zona, ndërsa në fshatin Dhrovjan një masiv dheu ra mbi një automjet privat, por pa shkaktuar dëme në njerëz.
Si pasojë e rrëshqitjes së dherave është dëmtuar aksi Vlorë-Radhimë.
Shkarja e dherave/ Bllokohet aksi rrugor Fier-Ballsh
Bllokohet rruga si pasojë e shkarjes së dherave në aksin rrugor Fier Ballsh. Si pasojë e reshjeve të shumta te kthesa e Visokës, rreth orës 02.00 një pjesë e dheut ka shkarë duke bllokuar një pjesë të rrugës.
Korçë, rekomandohen zinxhirët në Dardhë
Ndërsa, në Korça ka pasur reshje bore me trashësi prej 5-15 cm, në zonat +1200m, të shoqëruara edhe me erë të fortë. Por nuk kanë munguar edhe reshjet e dendura të shiut.
Apel u bëhet të gjithë drejtuesve të automjeteve me nga 6-12 km të përdorin zinxhirë, ndërkohë që automjeteve të vogla u rekomandohen gomat dimërore.
Ndërkohë nuk janë paraqitur probleme në akset e tjera rrugore nacionale dhe turistike.
Rikthimi i reshjeve të dendura të shiut ka sjellë problem edhe në Sarandë. Në segmentin Ura e Kranesë – Syri i Kaltër po punohet me mjete dhe njerëz për pastrimin e plotë të dherave. Rruga është e hapur për qarkullimin. Në segmentin Lukove – Bunec ka rënie dherash në rrugë. Aty kalohet vetëm në një korsi. Në segmentin Piqeras- Borsh ka rënie dherash në kënete. Rrëshqitja e Borshit vazhdon të jetë aktive. Si pasojë e shirave me intensitet shumë të lartë, rrëshqitja tek Nimfa është agravuar edhe më shumë.
Rrëshqitje dherash në Gjirokastër
Reshjet e një nate më parë kanë shkaktuar sërish probleme pranë pallatit 5-katësh në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër i njohur tashmë prej ngjarjes së tre viteve më parë ku këtu u shënua një rrëshqitje masive shumë pranë pallatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.