Bota

Moska goditet me 8 dronë në zona rezidenciale, mbrojtja ruse: Terrorizëm ukrainas

Gazeta Si - Disa sulme me 8 dronë në kryeqytetin rus Moskë, kanë shkaktuar dëme të vogla në disa ndërtesa rezidenciale, thanë zyrtarët.

Kryetari i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, tha se nuk ka pasur lëndime serioze. Ekipet emergjente kanë dalë “në skenën e incidenteve”, tha ai.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale u pa tym në qiellin e Moskës. Në pamje të tjera janë parë xhama të thyer të dritareve të ndërtesave.

Sobayninn tha se disa banorë janë evakuuar. BBC ka raportuar për një shpërthim në orën 06:24, sipas kohës lokale, në veriperëndim të Moskës. Po ashtu, një tjetër shpërthim është dëgjuar disa minuta më vonë.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmi i mëngjesit të sotëm në Moskë u krye me 8 dronë, ku pesë u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes Pantsir, ndërsa tre të tjerët u dëmtuan dhe devijuan nga trajektorja që kishin për qëllim të ndiqnin.

Ministria fajëson Kievin për agresionin kundër kryeqytetit rus. “Regjimi i Kievit kreu një sulm terrorist me dronë në pika të ndryshme të qytetit të Moskës”, tha ministria ruse në një deklaratë.

Sulmi me dronë në Moskë vjen pas sulmeve me dronë gjatë natës në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku të paktën një person raportohet se është vrarë.

Zyrtarët ukrainas thanë se disa ndërtesa janë përfshirë nga zjarri, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase ka shkatërruar mbi 20 dronë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë