Politike

Rusia dëbon diplomaten shqiptare. Ministria e Jashtme: Reciprocitet në diplomaci. Kështu i dëbuam edhe ne rusët

Moska duket se ka vendosur të “hakmerret” sot ndaj Shqipërisë, i cila dëboi disa ditë më parë një diplomat rus, duke dëbuar një diplomate shqiptare .

Sipas Sputnik News, Ministria e jashtme e Rusisë ka deklaruar se kjo ishte një lëvizje reciproke pasi Shqipëria dëboi diplomatin Alexey Krivosheev muajin e kaluar. Sipas mediave ruse, ambasadori i Shqipërisë në Rusi u thirr në Ministrinë e Jashtme Ruse dhe iu tha se një sekretare e ambasadës shqiptare është shpallur persona non grata, Jonida Grogu.

Tashmë diplomatja shqiptare ka kohë vetëm 72 orë për të lënë territorin e Rusisë.

Në një reagim për Gazetën Si, Ministria e Jashtme thotë se lëvizja e Rusisë vjen si parim i reciprocitetit në diplomaci, ashtu siç ndodhi dy vite më parë, kur Tirana zyrtare po ashtu dëboi dy diplomatë rusë.

“Është parim reciprociteti në diplomaci. Ka ndodhur edhe dy vjet më parë po njësoj, kur ne shpallëm dy persona non grata dhe ata bënë të njëjtën gjë”, thotë ministria në një deklaratë.

Diplomati rus Alexey Krivosheev u dëbua javë më parë pasi u kap duke shkelur masat e COVID-19 në Shqipëri dhe u shpall ‘non-grata’.

Moska tha se do t'i përgjigjej "lëvizjes jo-miqësore", duke e cilësuar si një provokim që synon të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.

Lëvizja e Rusisë vjen po ashtu pas dëbimit të diplomatëve gjermanë, suedez dhe polak, nën akuzat se kishin marrë pjesë në protestat për lirimin e opozitarit rus Alexei Navalny.

Dy vite më parë, vendi ynë dëboi dy diplomatë rusë, Vladislav Filipov, atasheh ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës. Ky veprim Shqipërisë ishte në sintoni me atë të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Në atë kohë, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera europiane dëbuan po ashtu përfaqësuesit e Moskës, pas sulmit mbi Sergei Skripalin dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury të Anglisë jugore

Rusia edhe atëherë reagoi në mënyrë proporcionale, duke dënuar po ashtu dy diplomatë shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë