Njerez

‘Mos ma dhuno fëmijërinë’ / Shoqëria civile marshim në ditën e të drejtave të fëmijëve

Nga Gazeta Si - Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të drejtave të Fëmijëve, aktivistë të shoqërisë civile dhe mbrojtjes së fëmijëve marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke bërë thirrje për ndërgjegjësim kundra çdo lloj forme të dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri.

Marshimi i fjongos blu, organizuar çdo vit nga CRCA / ECPAT Albania, është kthyer tashmë në një traditë për të treguar angazhimin dhe kurajon e shoqërisë civile për të çuar zërin dhe shqetësimin për shkeljen e të drejtave të fëmijëve!

Këtë vit, përpos shoqërisë civile, marshimit iu bashkua edhe një grup gjimnazistesh, vullnetare të Kryqit të Kuq në Shqipëri si dhe përfaqësues të Ambasadës së Sllovenisë në Tiranë.

Mesazhi kryesor i këtij viti ishte “Ma Mbro Fëmijërinë”.

Më herët, Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj ka thënë për Gazetasi.al se ministritë përgjegjëse duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve, sidomos nëpër shkolla ku rreziku për të rënë pre e abuzimit është i madh.

“Ministret e arsimit duhet të japin llogari se përse i kanë lejuar vepra të tilla si shitja e lëndëve narkotike që të përhapen kaq shumë në shkolla dhe të shkojë në këtë gjendje”.

Ndërkohë, çdo ditë raportohen 2-3 faqe me përmbajtje të bullizmit ekstrem apo dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.

Këto dy tema janë një shqetësim i madh për vendin tonë, sipas Hazizaj i cili thotë se qeveria duhet të bëjë më shumë për t’i mbrojtur fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë