Ne rrjet

Mos lejoni autokratët të bllokojnë internetin!

Goma fshirëse është një mjet me rëndësi për autokratët. Ata e përdorin fuqinë e tyre për të heshtur kritikët, për të shtypur narrativat kundërshtuese, për të mbuluar keqbërjet dhe për të mbrojtur veten nga përgjegjësia. Në të shkuarën, regjimet kanë djegur libra e dokumente për të mos rrezikuar pushtetin e tyre.

Në epokën digjitale, fshirja është bërë “teknologji e lartë”. Qeveritë shtypëse fshijnë faqe, arkiva dhe llogari në rrjete sociale me një buton. Kjo ka shtuar presionin për të siguruar se materiale historike, gazetareske apo ato nga qeveritë të ruhen me kujdes. Ruajtja e tyre është jetike për kulturat që janë në krizë, për të rrëfyer historitë e shtypjes dhe për të dënuar shtypësit.

Kuptimi i botës mbi nazizmin është mbështetur në fotografi, ditarë, letra, poezi e piktura që ringjallën familje dhe komunitetet e shkatërruara. Kinemaja para-revolucionare dhe fotografitë nga Irani risjellin kujtimet kur vendi ishte plot jetë, para regjimit të ajatollahëve. Ditarët personal kanë hapur dritaren për të njohur kulturën e Kinës. Kina nisi të hapë arkivat qeveritare vetëm pas 2010-s.

Një punonjës i Shërbimit Ndërkombëtar të Gjurmimit hulumton dokumente në Arkivin e Holokaustit në Arolsen, Gjermani, më 28 prill 2006

Ruajtja e tyre është po ashtu e nevojshme. Shumë regjime autokrate kanë qenë të kujdesshme me ruajtjen e kujtimeve. Me anë të një rrjeti të gjerë spiunësh, Stasi-it në Gjermaninë Lindore, mbanin të dhënat për 5.6 mln njerëz. Ndërsa sundimi komunist u largua, tymi shpërtheu nga një seli rajonale e Stasi-t, duke nxitur një grup grash aktiviste të pushtonin ndërtesën për të parandaluar djegien e të dhënave, të vendosura për të ruajtur të dhënat e represionit.

Në 2015-n, më shumë se 7 milionë gjermanë kishin aplikuar për të parë dosjet e tyre të Stasi-t. Në Bashkimin Sovjetik, kur qeveria ra, një ndër kërkesat kryesore për reformimin ishte të hapeshin dokumentet e arkivuara të KGB-së, që tregonin horrorin që përjetuan shkrimtarët rusë.

Arkivat e sapodalura në Siri kanë filluar të zbulojnë shtrirjen e rrjetit masiv të vëzhgimit të regjimit të Asadit dhe tentakulat që ai përdori për të depërtuar në grupet e opozitës.

Regjistrimet e regjimeve autoritare kanë qenë mjete të rëndësishme për të ndihmuar shoqërinë të kuptojë dhe gjykojë këto regjime. Pas Luftës së Dytë Botërore, ushtritë e Aleancës, kishin mbledhur shumë prova, miliona dokumente, fotografi dhe filma që janë prezantuar në gjyqin e Nurembergut dhe janë të ruajtura në Arkivën Kombëtare të SHBA-së.

Tribunali i krimeve të ish-Jugosllavisë mban një grumbull masiv dokumentesh.

Autori kinez Yang Jisheng përdori pozitën e tij si gazetar në agjencinë kineze të lajmeve, që kontrollohej nga shteti, për të grumbulluar dokumente me më shumë se 10 mln fjalë, që kompletuan librin e tij “Tombstone”.

Edhe pse i ndaluar në Kinë, liri qarkullon kontrabandë. Siç e thotë Yang: “Historia jonë është e fabrikuar. Është e mbuluar. Nëse një shtet nuk përballet me historinë e vet, nuk ka të ardhme”.

Qeveritë  e të gjitha llojeve kuptojnë fuqinë e fjalës së shkruar, pikturave dhe narrativave që formësojnë kujtime historike. Një raport i 2012-s gjeti se në Mbretërinë e Bashkuar kishte fshehur në mënyrë të paligjshme dhe shkatërruar sistematikisht të dhënat e ditëve të fundit të Perandorisë Britanike, duke mos dashur që zbulimet që “mund të turpëronin qeverinë e Madhërisë së Saj” të ishin të arritshme për shtetet e reja të pavarura.

Rreziqet që paraqet transformimi digjital për aftësinë tonë për të dokumentuar, hulumtuar, interpretuar dhe kuptuar autoritarizmin janë të qarta. Zhvendosja në komunikimet online ka lejuar një varg mesazhesh dhe direktivash që dikur mund të ishin përcjellë me kabllo, letra ose memorandume, të zbatohen përmes teksteve, emaileve ose kanaleve të mediave sociale që nuk do të ekzistojnë kurrë në formë fizike, përveç nëse printohen ose ruhen në mënyrë digjitale.

Grupet e informacionit në internet janë përgjithësisht më pak të qëndrueshme se bibliotekat fizike për shkak të problemeve të rrjetit. Arkivi i Internetit, një organizatë jofitimprurëse me qendër në San Francisko, e cila filloi punën e saj në 1996, pikërisht kur vetë interneti u përhap, dhe një seri filialesh kanë evoluar gjatë gati 30 viteve për të mbuluar këto boshllëqe dhe për të ruajtur të dhënat, por ato nuk janë gjithëpërfshirëse dhe atyre u mungon aksesi në shumë nga materialet më të ndjeshme nga shoqëritë e mbyllura ose të kërcënuara.

Me autokracitë që e shtrijnë më shumë pushtetin e tyre në kontrollin e sferës virtuale, ajo po bëhet gjithnjë e më e rrezikuar dhe e copëtuar. Qeveritë mund të bllokojnë faqe dhe shërbime onlinë që ata nuk pëlqejnë. Arkivat online mund të fshihen me një buton. Pas pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, presidenti Vladimir Putin lëshoi ​​një deklaratë gjithëpërfshirëse që e quajti të gjithë sektorin e pavarur mediatik të vendit si agjentë të huaj. Të gjitha kanalet mediatike në pronësi private u ndaluan të transmetonin brenda Rusisë.

Rregullatori rus për media, Roskomnadzor,  i hoqi licencën gazetës dinjitoze Novaya Gazeta dhe detyroi gazetarët e saj të shkonin në azil. Shumë media të tjera përjetuan të njëjtën situatë dhe më shumë se 1.500 gazetarë rusë janë tashmë në azil dhe puna e tyre është e rrezikuar nga ndonnjë dekret i papritur i Putin.

Në Kinë, ku të gjitha kompanitë e internetit punojnë për të kënaqur Partinë Komuniste Kineze, autoritetet kanë fshirë disa gjenerata materialesh në internet. Pothuajse i gjithë informacioni i hedhur online nga 1990-a në 2000-shin është fshirë.

Ngjarje si tërmeti i Sichuan në 2008-n, ku mbetën të vdekur më shumë se 68 mijë njerëz dhe ndezi një debat të madh publik mbi standardet e ndërtimeve, nuk ekziston më online. Skandale të tjera, si p.sh transporti i vajit të gatimit në depozita josanitare po ashtu janë fshirë. Diskutimi i kryengritjes së Sheshit Tiananmen të vitit 1989 konsiderohet ende aq tabu saqë shumë të rinj kinezë nuk janë në dijeni derisa të udhëtojnë jashtë shtetit dhe të kenë akses të papenguar në internet dhe librat e historisë.

Intensifikimi i censurës nën sundimin e presidentit kinez Xi Jinping gjatë 12 viteve të fundit ka bërë që kompanitë kineze të internetit të fshijnë përmbajtjen që mund t’i sjellë në telashe, duke çuar në një reduktim të mprehtë të numrit total të faqeve të internetit të disponueshme në kontinent. Regjisorja kineze-amerikane, Nanfu wang, e vlerësuar me çmime, e cila është fokusuar në tema të diskutueshme si taktikat brutale të përdorura për të zbatuar politikën e Kinës për një fëmijë, i ka parë filmat e saj të bëhen të paarritshëm dhe shfaqjet e saj në media janë zhdukur.

Llogaritë online të disidentëve dhe gazetarëve të pavarur janë fshirë, bashkë me materialet dhe qëndrimet. Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi do ta lehtësojë më tej këtë proces.

Përballë këtij shkatërrimi me shumicë, arkivistët, organizatat joqeveritare dhe gazetarët rusë të mërguar kanë filluar të ndërmarrin hapa për të ruajtur historitë e cenueshme. Në vitin 2023, PEN America dhe Kolegji Bard hapën Arkivin e Pavarur të Medias Ruse. Arkivi synon të rivendosë të dhënat historike, të lartësojë punën e gazetarëve të pavarur dhe të lejojë një gërmim më të thellë të së kaluarës së Rusisë. Koleksioni po rritet dhe tani përfshin arkivin e blogut të disidentit të vrarë dhe liderit politik Alexei Navalny.

Analisti dhe eksperti për Kinën Ian Johnson krijoi Arkivën Jozyrtare të Kinës, një koleksion online që mban materiale vizuale dhe të shkruara të mendimtarëve e krijuesve të pavarur. Gjithsesi, shumë tentativa për ta bërë këtë nga organizata të tjera janë censuruar nga Pekini.

Luftërat aktuale në Gaza dhe Sudan kanë sjellë kujtime të mprehta të cenueshmërisë së qëndrueshme të arkivave fizike dhe thesareve kulturore në konfliktet e armatosura, me koleksione të mëdha të materialit historik që shkatërrohen nga bomba ose zjarrvënie. Në rajonet e shkatërruara nga lufta, mbështetësit digjitalë për kulturën dhe historinë janë jetike për të forcuar kulturat nën kërcënim, për të sqaruar të kaluarën dhe për të siguruar ruajtjen e kujtesës historike të nevojshme për të kapërcyer dhunën dhe për të nënshtruar qëndrueshmërinë.

Palestine Nexus ka mbledhur më shumë se 40.000 harta, ditarë, dorëshkrime, filma dhe gazeta, duke siguruar një mburojë kundër rrezikut të fshirjes kulturore. Sudan Memory, i financuar nga Fondi për Mbrojtjen Kulturore të Këshillit Britanik dhe Fondacioni Aliph, punon me institucione anembanë Sudanit për të kapur koleksionet e tyre në mënyrë digjitale dhe për të mbledhur letrat dhe veprat e artistëve dhe intelektualëve me ndikim. Në vitin 2024, një grup organizatash ndërkombëtare nisën Arkivin Iranian, i cili mban më shumë se 1 milion artefakte digjitale – të nxjerra kryesisht nga kanalet e mediave sociale – duke dokumentuar lëvizjen historike të protestës “Gratë, Jeta, Liria” në Iran.

Por nevojiten qasje më sistematike. Në vende si Hong Kongu, Tajvani dhe Ukraina, duhen marrë masa parandaluese për të riprodhuar materiale të vlefshme dhe për t’i vendosur ato jashtë vendit për t’u ruajtur. Fondacionet, institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e angazhuara në luftën kundër autoritarizmit duhet të përfshijnë arkivimin midis investimeve të tyre. Në kontekstin e përpjekjeve të tranzicionit dhe rindërtimit në vendet e shkatërruara nga lufta, mbrojtja e materialeve online duhet të përfshihet në planifikim. Ndërsa mund të ketë pak që mund të bëhet për të parandaluar autoritarët të pastrojnë të dhënat nën kontrollin e tyre, ata që kërkojnë të ruajnë materiale të tilla historike duhet të jenë në gjendje të gjejnë mbështetje dhe mbrojtje nga komuniteti ndërkombëtar.

Gazetaria online, fotot, videot, postimet në mediat sociale dhe regjistrimet ofrojnë një draft të parë të historisë në formë të papërpunuar, duke ofruar njohuri të domosdoshme për brezat e ardhshëm të studiuesve, intelektualëve, artistëve dhe interpretuesve të të gjitha llojeve. Në luftën e vazhdueshme kundër autoritarizmit, kujtesa është një pasuri thelbësore.

Publikuar nga Foreign Policy, shkruar nga Suzanne Nossel, ish-zyrtare në qeverinë amerikane/Përshtati:Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë