Politike

Mos heqja e taksës serbe, SHBA ndëshkon Kosovën

Pas refuzimit të vizës amerikane për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anulimit të vizitës së gjeneralit Timothy Orr në Prishtinë, SHBA ka vendosur të anulojë ftesat për Qeverinë e Kosovës në tetë konferenca në qendrën europiane të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani.

Ky vendim është interpretuar nga shumë ekspertë në Prishtinë si sanksione ndaj Kosovës, pas vendimit të patundur për mos heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe tashmë duket se ka marrë tanimë tone ndëshkuese. Shumë media në Prishtinë thonë se Uashingtoni zyrtar ka vendosur të refuzojë dhënien e vizës amerikane për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Po ashtu, së fundmi Uashingtoni zyrtar paralajmëroi Prishtinën se nëse nuk tërhiqej nga ky vendim, do të ndërpriste të gjitha ndihmat, përfshirë edhe ato për ushtrinë e re të Kosovës.
Një paralajmërim i tillë nga aleatja më e vyer e Kosovës, ka shkaktuar jo pak kaos në Prishtinë, duke thelluar edhe më tej krizën në koalicionin qeverisës mes pasuesve të Hashim Thaçit dhe atyre të kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Në paralajmërimin e saj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë bën të qartë veprimet që minojnë dialogun Kosovë-Serbi dhe refuzimi për të pezulluar tarifat shkojnë kundër interesave të SHBA-ve.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Prishtine. “Ne këshillojmë Kosovën apo cilido mik tjetër të Shteteve të Bashkuara se nuk mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave tona strategjike, pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien tonë bilaterale”, thekson SHBA-ja .

Duke rritur tonin, Uashingtoni ka bërë po ashtu të qartë se statusi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, dhe i rreshtuar me Shtetet e Bashkuara, do ta mbrojë atë nga gjitha pasojat e vendimeve të sa në arenën ndërkombëtare.

“Ne ritheksojmë pikëpamjen tonë se një pezullim i menjëhershëm i tarifës për importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rikthyer procesin e dialogut. Presim që Kosova të ndërmarrë masa konstruktive”, shton më tej Ambasada Amerikane. "I bëjmë thirrje Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit që të tregojnë përkushtim ndaj normalizimit, paqes dhe stabilitet si dhe ndaj lëvizjes drejt integrimit europian”

Qeveria e Haradinaj vendosi më 21 nëntor, që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm një ditë pasi që Kosova dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për anëtarësim në agjencinë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.


Beogradi, i cili eksporton ne Kosovë mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Vendimi shtoi tensionet jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe shkaktoi zemërim e BE-së. Bashkimi Europian i kërkoi Kosovës të tërheqë vendimin duke e cilësuar atë si shkelje të CEFTA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë