Ka ndodhur

Mori pa autorizim 30 bombola oksigjeni e i dërgonte në banesa, prangoset oksigjenisti në Kavajë

Një oksigjenist i spitalit të Kavajës është arrestuar pasi kishte shpërndarë 30 bombola pa autorizim të institucionit mjekësor.

Policia thotë se 26-vjeçari me inicialet M. Sh, i kishte marrë këto bombola oksigjeni dhe ua kishte shpërndarë qytetarëve nëpër banesa.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, menjëherë pas njoftimit të marrë se shtetasi M. Sh., me detyrë oksigjenist i spitalit të Kavajës, kishte marrë rreth 30 bombola oksigjeni pa autorizimin e këtij institucioni mjekësor, për t'ua dërguar personave të ndryshme nëpër banesa, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Si rezultat e një punë të vazhdueshme dhe veprimeve profesionale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Sh., 26 vjeç, banues në Kavajë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, 26-vjeçari ka marrë 30 bombola oksigjeni në institucionin ku punonte, pa autorizimin e drejtuesve, dhe më pas i ka shpërndarë ato nëpër banesa të qytetarëve të ndryshëm.

Tashmë ai akuzohet për “shpërdorim detyre”, teksa menjëherë autoritetet kanë organizuar punën për të zbardhur ngjarjen e plotë.

 Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprën penale ‘Shpërdorim detyre".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë