Lajme

Mori leje, i dënuari kthehet në qeli me 22 doza kanabis në bark

gazetasi

Një i dënuar kapet në flagrancë duke tentuar të fusë në burgun e Korçës 22 doza të lëndës narkotike. Shtetasi B.L kishte marrë leje shpërblyese dhe kishte shkuar në shtëpi për disa ditë, por gjatë kthimit në vendin e izolimit kishte gëlltitur 22 doza të lëndëve narkotike. Ministria e Drejtësisë bën të ditur se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve kishte marrë informacione se në IEVP-në e Korçës, i dënuari mbante me vete lëndë narkotike. Në kontrollin e ushtruar ditë e shtunë, SHKKB-ja u detyrua që t’i kryente një ekografi, ku ka rezultuar se brenda në stomak mbante materialin e mbështjellë me qese plastike.
Veç masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e burgut, SHKBB-ja dhe Policia e Shtetit, po kryejnë veprimet procedurale dhe hetimore për veprën penale të "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" parashikuar nga neni 283 i Kodi Penal dhe "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim" parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Gjithashtu ministrja e Drejtësisë bën të ditur se një tjetër aksion u ndërmor dhe nga policia e burgjeve në IEVP-në Peqin, duke kontrolluar disa qeli në sektorin e sigurisë së lartë janë gjetur 4 aparate celularë të fshehura në pajisjet elektroshtëpiake të të dënuarve D.H dhe E.H.
Pas masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e IEVP-së, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje po kryen veprimet e para procedurale dhe hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin për veprën penale të "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim" parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë