Politike

Monologu i Ramës. Flet si student, por kërkon me ngulm dialog me ta

Për rreth dy orë kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një “debat” virtual me studentët që janë në protestë prej 6 ditësh. Në këtë monolog të gjatë, ai u shfaq një herë duke iu lutur për dialog, por edhe duke i “kërcënuar” studentët dhe duke iu drejtuar me shprehjen se nuk është “Zoti që t’ua plotësojë kërkesat me shkop magjik, pa dialoguar më parë”.
Në mungesë të bashkëbisedimi me një përfaqësi të studentëve që protestojnë, si dhe për shkak të këtij refuzimi, kryeministri zgjodhi të niste një komunikim në distancë, duke zgjedhur dhe pyetje të veçanta live nga Facebook. Gjatë fjalës së tij, të cilën edhe ai vetë e cilësoi si monolog, kryeministri u shpreh se është në krah të studentëve dhe u bëri thirrje që të largohen nga Luli dhe Monika, që sipas tij, po ndikojnë te protestuesit.    

“Të flasim si njerëz. Ju pres kur të doni, si të doni, sa të doni. Jam i gatshëm të flasim. Ta bëjmë bashkë si njerëz, jo si profile false në Facebook. Më keni gati në çdo orë. Kjo nuk është betejë mes studenteve dhe qeverisë. Jemi bashkë në këtë betejë. Dialogu nuk është një akt martese me zor, unë nuk them hajde të dialogojmë, pasi të mbaroni, protestoni. Vazhdoni protestoni dhe dialogojmë. Unë u flas atyre që janë të bindur se kërkesat e tyre do të plotësohen. Tani, si mundet dikush në shekullin e 21 në këtë Shqipëri, pasi kemi bërë një rrugë të vështirë, të dalë kundër një dialogu! Çfarë është kryeministri, dyqan magazinë, ku shkruhen kërkesat për të gjitha zairet, ku merren përgjigjet me televizor? Si i gjendet zgjidhja? Po kush jam unë, Zoti që i shkruajmë nga larg dhe gjej zgjidhje nga larg me shkop? Zgjidhjet janë të pranueshme dhe t’i gjejmë. Zgjidhjet nuk janë financiare, patjetër, e këtu ne do t’i marrim të gjitha përgjegjësitë, por këtu nuk është çështje financiare, por është çështje vlerash universitare që janë shqelmuar”, deklaroi Rama.

Kërkesat e studentëve drejtuar qeverisë


“S’doni të dialogoni? Është e drejta juaj! Rrini atje protestoni. Por mos mendoni që kërkesat duhet që ne t’i nxjerrim nga koka e secilit, t’i përpunojmë dhe ta bëjmë këtë një lojë kungulleshkash. Është e qartë, unë jam me çdo student dhe do isha aty si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën dhe jo për komshinjtë. Por për veten e tij dhe për shtëpinë e tij. Jam me çdo prind që mbështet çdo student që është aty për veten e tij. Këta profesorë që dalin nëpër banaqe se kujtojnë që ju erdhi dita apo të bëjnë ata tani një Dhjetor të dytë, pavarësisht se çfarë flitet; unë nuk hyj te ata Kryeministra që mendojnë se i dinë të gjitha. Unë këtë punë mund ta bëj shumë më mirë, sa më shumë të kem veshët hapur”.

Kushtet që pranon Rama nga tarifa…
Sa u përket tarifave studentore, kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm që t’i plotësojë, madje ka avancuar akoma më tej me idenë se subvencionimit të tyre edhe për studentët e ekselencës dhe për studentët që kanë familje me ndihmë ekonomike.
“Tarifat? Patjetër, t’i diskutojmë dhe unë mbështes absolutisht arsyetimet racionale dhe mbi të gjitha e ndiej dhimbjen e prindërve dhe studentëve që kanë nevojë për më shumë mbështetje politike. Tarifat nuk i vendos qeveria, quhet autonomi universitare. Qeveria vendos një tavan, se përndryshe do kishin kapërcyer kacafiu. Megjithatë patjetër, ne jemi gati të investojmë nga taksat për të mbështetur studentët në pagesën e tarifës. Ama duhet diskutuar kjo apo duhet thënë, duhet shkruar, që pastaj të fillojë prapë loja, jo po si e tha. Me korrespodencë, si? Do të bëjmë transparencën ose jo, ne do t’u japim nga buxheti 50%, pse jo më shumë se 50%, atyre që janë me notat 9 e 10 pse mos t’ia heqim fare? Pse mos ua heqim atyre me ndihmë ekonomike?! Jemi gati që tarifat t’i mbështesim edhe në masën 50%, por nuk bëhet kështu, “o ba dua lekë”. Do u themi të gjithëve që taksat tuaja do të përdoren për këta studentë”, theksoi Rama. Me propozimin e tarifave, kryeministri thekson se nuk prek ligjin “Për Arsimin e Lartë”, pasi i qëndron idesë së autonomisë universitare, duke propozuar si zgjidhje subvencionim nga shteti.

Nga protesta e studentëve

Bordi i Administrimit
Duke e pranuar se qeveria është përgjegjëse për çështjen e tarifës së krediteve për provimet, Rama u mundua që të ndante këtë peshë faji edhe te rektorët dhe dekanatet. Sipas tij, VKM e qeverisë u miratua në maj vetëm pas kërkesës që bënë drejtuesit e universiteteve. “VKM-ja e bërë me propozim të të gjithë dekanëve dhe rektorëve në maj, ishte befasi për studentët. Është marrë vendimi dhe nuk u është komunikuar studentëve. Ua them tani, nuk ua kishim borxh këtë gjë! Nuk ka tarifë që nuk e keni vendosur vetë. Ata duhet t’ua kishin bërë publike një vendim të tillë”, deklaroi shefi i ekzekutivit.
Sa i përket kërkesës së Bordit të Administrimit, kryeministri u shfaq pesimist për sa i përket përfaqësimit të studentëve në një masë më të madhe, pasi ai theksoi se asnjë vend demokratik nuk ka numër të barabartë votash mes Ministrisë së Arsimit dhe studentëve.
“Do t’i shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë. Si ju duket juve? Por nuk bëj asnjë lëvizje pa ardhur këtu për të biseduar. Jo parti, jo politikë, mos thoni. FRESSH e keni parë ju që është copë-copë. Nuk e fusim dot në ligj praninë e studentëve në Bordin e Administrimit. Asnjë vend nuk e ka. Nëse e ka një vend tjetër, as mos e diskutoni, ejani. Në Kinën e Revolucionit Kulturor e kishte, por nuk e marrim si model. Ajo që mund të bëjmë është që një të emëruar të qeverisë në Bord të jetë një i propozuar nga ju, gjeni ju mënyrën se si. Por ejani dhe ta diskutojmë”, theksoi Rama.

Konviktet dhe investimet


Duke pranuar kushtet në konvikte, Rama pyeti studentët se përse nuk e kishin paraqitur në kërkesë edhe heqjen e tarifave të konvikteve. “Plan konkret për kampusin e Tiranës – është bërë konkursi ne 2015 dhe Bashkia e Tiranës është gati që të ndërhyjë qoftë për Qytetin Studenti, qoftë për kampusin e ri. Ndërkohë 18 milionë euro për ndërhyrje falë KFV për Qytetin Studenti. Por pse mos të rishikojmë edhe tarifat që paguajnë studentët që jetojnë në konviktet ku nuk është vendosur dorë deri më sot? Do ishte e ndershme, edhe pse nuk është kërkuar nga studentët. Qeveria nuk është daja që shpërndan qofte, “qofte te daja” qeveria nuk prodhon. Hajde të ulemi, por si mund të dialogojmë kur tavolina është bosh. Një student evropian nuk refuzon dialogun.
Ia kam kërkuar kancelares Angela Merkel në Tiranë, e mbani mend, dhe si përfundim janë 18 mln euro edhe është një projekt real, shkon në 56 milionë në total, me disa faza deri në përfundim të plotë. Por që të realizohet, do kohë. Kampusi i Tiranës, në Qytet Studenti dhe ka filluar procesi, çfarë kemi gjetur këtu ne? Kemi gjetur kthime e kompensime të Saliut dhe projekte të zhvillimit të Lulit. Mina që i gjejmë kudo, kudo. Katër vitet e ardhshme të mandatit të bashkisë do të bëhet kampusi universitar”, deklaroi Rama.

Punësimi, me 1 mijë vende në administratë
Si për t’i joshur protestuesit që protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit, kryeministri ka hedhur edhe idenë e punësimit të studentëve që kanë përfunduar shkollën me rezultate të larta. “E doni aleancën me ne, apo do rrini atje? Një mijë vende pune në administratë nga klasifikimi i studentëve me mesataren 9 dhe 10, në të gjitha fushat. Pa konkurs, në Ministrinë e Financave kush ka përfunduar për Ekonomik, një vit, që të fitojë eksperiencën dhe do të japë provimin për në DAP. Apo dhe punësim tre vjet. Por si i bëhet se dikush ju ka mësuar se provimet merren me kopje! Ju nuk e keni shkruar, sepse nuk ua ka thënë Monika, as Luli, as ai profesor Taulanti, që mund të jetë një studiues i mirë, por është një larvë politike”, deklaroi Rama.

Pankarta të studentëve të vendosura para ministrisë së Arsimit


Sulmet e Ramës për protestë të kontrolluar nga PD, LSI
Duke folur për Vettingun e profesorëve, kryeministri nuk kurseu as anatemimet ndaj liderëve të opozitës, madje shtoi se mos pranimi i studentëve në tryezën e dialogut ka prapavijë politike, që mbështet nga Lulzim Basha i PD-së dhe Monika Kryemadhi e LSI-së. Përmes transmetimit në Facebook, Rama ii përgjigj edhe pyetjeve të të rinjve që shkruanin në Facebook. “Pse ta bëjmë, ju në rregull jeni! Nuk keni ngritur një herë zërin kur ju kanë poshtëruar, kur ju kanë thënë “o merrni librin tim, o…” Unë nuk bëj asgjë! Ose do të grihemi të gjithë… Nëse ju jeni gati të jeni të zotët e vetes dhe fatit tuaj. Karshillëqet dhe sharjet në Facebook e trimërinë që tregoni, ta tregoni me dinjitet e seriozitet kur një pedagog guxon t’iu afrohet. Hajdeni tek unë. Jeni më të fortë. Nuk ju hyn gjemb në këmbë. Të bëj vettingun unë?! Ose shkoni bëjeni me Lulin. Apo me Monikën, se Monika është doktore shkencash, është kokë e madhe, ose me Lulin që është profesor i asociuar pranë Monikës. Unë nuk jam doktor shkencash, unë nuk kam titull. Ai larva politike ka dalë se ka marrë doktoraturën”, theksoi Rama. Sipas kryeministrit, studentët po ngjajnë si një transgender, “pasi paradite janë studentët, pasdite janë të LSI-së dhe të PD-së, ndërsa në darkë protestojnë komshinjtë”.

Për Taulant Mukën
Një pjesë e reagimit të tij, kryeministri e fokusoi edhe te ish-zv.ministri Taulant Muka, i cili po ngre akuza për plagjiatura. “Ai larva politike ka dalë në televizor dhe të tregojë si Edi Rama ka marrë doktoraturën. Unë s’jam Doktor, jam një piktor shqiptar që e kam pasion deri në sëmundje këtë vend. Luftoj për idetë e mia, për bindjet e mia, por luftoj ama. Kam dhe këtë zanatin e Facebook. Aty jemi të barabartë, s’jam Kryeministër, jam Edi Rama. Taulant Muka më erdhi me një grup pedagogësh dhe kërkoi takim me Lindita Nikollën, e priti dhe më tha Lindita Nikolla që një djalë që është në Zvicër ka një ide. I thashë “bjere këtu”, kjo është e vërteta. Erdhën në zyrën time. Më shtroi platformën e tij. I thashë “ku je ti?”. “Unë në Zvicër”, tha, “në një katedër shkencëtarësh”. I thashë “ti në Zvicër dhe na hedh shashka këtu dhe na tregon si ta bëjmë, nuk shkon”. “Do vish ta bësh ti”, i thashë. “Ai zv/ministri që ti akuzon, të shkosh ti në vend të tij”. “Kjo është diçka që s’e prisja”, më tha. I thashë “kjo është gjëja që unë propozoj”. Ose i thashë “ik edhe kjo s’bëhet”. Çfarë bëri? Ditën e parë: “dua veturë me shofer!” Por nuk kanë vetura zv/ministrat. “Po banjën pse nuk e kam në zyrë?” “Babin e dua shofer të punësuar në Ministri”. U thashë “çfarë bën ky?” Unë s’e takova më. Jep dorëheqjen dhe thotë “Edi Rama është një mësues vizatimi”. Pra një larvë, këtë mendoj unë për këtë”, deklaroi kryeministri.

Nga protesta e stundentëve


Gjithsesi kryeministri Rama e mbylli monologun e tij duke u bërë thirrje për dialog studentëve. Nëse nuk duan studentët, mund të ballafaqohen në studio televizive.
“Studentët sot janë rrugëve dhe nuk bëjnë asnjë punë, sepse s’kanë kulturë pune, nuk dinë të punojnë, pasi atëherë nuk bënin mësim. Është turp turp, por duhet të luftojmë së bashku për ta hequr këtë turp. Është koha për t’u ulur bashkë. Unë këtu jam. Nuk dua as përfaqësi me emra, le të vinë 20, 100 studentë, hajdeni ju që nuk jua japin megafonin. Apo kur të vendosë, Monika, Taulant Muka, apo Arlind Qorri. Vetëm thoni, hajdeni, këtu dhe do ju pres, në kryeministri, apo dhe në studion e Fevziut, por vetëm te Ylli Kadriu mos më çoni. Kjo nuk është një betejë mes studentëve dhe qeverisë, ne jemi në një anë. Bashkë me të gjithë pedagogët, prindërit. Qeveria nuk është pa mëkate, ka kusuret e veta. Hajdeni ta diskutojmë me qeverinë”, përfundoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë