Futboll

Moldavë, boshnjakë e malazesë, 4 skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët

Është hedhur sot shorti i turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës, ku marrin pjesë edhe 4 skuadra shqiptare. Goglat nuk ishin me shumë fat për Teutën kampione, që do të përballet me moldavët e Sherif Tiraspolit, një ekip që merr pjesë rregullisht në Kupat e Europës dhe me një buxhet shumë më të madh se durrsakët.

Më shumë fat patën në short 3 skuadrat e Ligës së Konferencës. Edhe Partizani do të ndeshet me një skuadër moldave, Stinful. Të kuqtë, të cilët ishin në vazon e skuadrave favorite në short, kanë shanse të mëdha për të kaluar më tej. Edhe Laçi bënte pjesë te skuadrat favorite dhe shorti e ka vënë përballë malazesëve të Podgoricës.

Vllaznia, që u shortua si skuadër jo favorite, do të diskutojë kualifikimin për në turin e dytë ndaj boshnjakëve të Shiroki Brijeg. Shkodranët sapo kanë konfirmuar trajnerin Bërdariç dhe kanë nisur madje edhe fushatën e përforcimeve.

Ndeshjet e para në Ligën e Konferencës luhen më 8 korrik, kurse ato të kthimit më 15 korrik. Vllaznia dhe Partizani e luajnë në transfertë ndeshjen e parë, Laçi në fushën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë