Njerez

Moisiu mbush 89 vjeç, presidenti i vetëm konsensual

Ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu mbush sot 89 vjeç. Pikërisht në 1 dhjetor 1929, ai lindi në qytetin e Shkodrës, por origjinën e kishte nga Kavaja. Babai i tij, Spiro Moisiu atë kohë ishte me detyrë si ushtarak në qytetin e madh verior.

Fakti që babai i tij ishte ushtarak ndikoi te Moisiu që të merrte këtë edukim dhe të profilizohej si ushtarak. Gjeneral Moisiu ka mbaruar shkollën e Inxhinierisë Ushtarake në Petërsburg Rusi e më vonë (1958) Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë, diplomuar me medaljen e Artë. Me një karrierë të gjatë, nga komandant në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve Tiranë, komandant brigade në Kavajë, zv.ministër, ministër në qeverinë teknike të viteve të para të pluralizimit.
Në kulmin e krizës politike të ndodhur në Shqipëri, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ndërkombëtarët ushtruan presionin ndaj qeverisë socialiste të Nanos, që të zgjidhej një president konsensual.

Pakti PS-PD, mes kryesocialisti Fatos Nano dhe kryedemokratit Sali Berisha nxori një kandidaturë konsensuale për të këtë post, e pikërisht Alfred Moisiun. Në atë kohë u mendua se Moisiu i zgjedhur si një kandidat konsensual do të ishte i lehtë për t'u komanduar, por koha provoi që presidenti që u zgjodh më 24 qershor të vitit 2002 u përball ashpër me dy kryeministrat, pikërisht me dy liderët që e propozuan dhe e miratuan si kandidaturë konsensuale, Fatos Nano dhe Sali Berishën.

Fatos Nano, Alfred Moisiu, Sali Berisha

"Disa media më konsideruan “Kukulla Moisiu”, kur unë bëra një fotografi të përbashkët me Nanon dhe Berishën. Të njëjtët, që shprehën këtë mendim, pas një muaji, po ata e përgënjeshtruan qëndrimin e parë të tyre. Sigurisht ata menduan që unë vija nga një background ushtarak, që nuk e njihja politikën dhe do më përdornin lehtësisht. Por asnjëra palë nuk arriti dot që të më manipulonte, sepse unë isha edukuar për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës dhe gjithmonë i kam vënë interesat e vendit mbi interesat personale dhe kjo është e njohur se pas mandatit tim presidencial, unë u ktheva në shtëpinë time, në ato kushte që isha", do të shprehej Moisiu në një intevistë të dhënë kohë më parë për "Panorama".    

Lidhur me marrëdhëniet që kishte me dy krerët e qeverisë gjatë 5 viteve që drejtoi Presidencën, Moisiu kujton: “Marrëdhënia me Kryeministrin Nano në aparencë ka qenë e kujdesshme dhe pse punonte nën rrogoz, kurse me Kryeministrin Berisha jemi përplasur hapur dhe në mënyrë shumë brutale nga ana e tij. Por unë, duke e ruajtur gjakftohtësinë time, gjithmonë kam folur mbi bazën e argumentimeve kushtetuese dhe kam qenë shumë i kujdesshëm në ruajtjen e etikës politike dhe morale në marrëdhëniet me politikanët tanë, qoftë kur i kam pasur përballë, e qoftë indirekt në deklaratat e mia”.

Presidenti Moisiu dhe Presidenti George W. Bush gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë

Gjatë presidencës së tij, Moisiu do të mbahet edhe si presidenti që detyroi partitë politike që të nxiste një marrëveshje politike sa i përket zgjedhjeve lokale të vitit 2003.
Këshilltari i tij politik, Afrim Krasniqi me një status në Facebook, duke i përcjellë urimet për ditëlindjen Moisiut, do të theksonte se si President do të mbahet mend në memorien historike në mënyrë pozitive dhe që qëndroi mbi palët.

"Shoqëria dhe shteti ynë ka pasur e ka shumë zyrtarë që kanë drejtuar e drejtojnë në nivele të larta, disa prej tyre kanë mbetur në memorien dhe vetëm ndonjë prej tyre ka mbetur në memorien publike e shtetërore me vlerësim pozitiv. 11 vjet pas përfundimit të detyrës në krye të shtetit, Presidenti Moisiu besoj se është një prej këtyre të fundit, - një President qytetar, mbipartiak, me sens të theksuar të shtetit dhe të përgjegjësisë ndaj detyrës. Natyrisht, një nga përvojat më të mira personale dhe profesionale ka qenë e mbetet periudha e angazhimit në stafin presidencial si këshilltar politik i tij", thekson Krasniqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë