Politike

Moisiu dhe 21 intelektualë japin formulën për zgjidhjen e krizës: Pakt kombëtar mes partive

Ish-presidenti Alfred Mosiu së bashku me 21 intelektualë të njohur të vendit dhe përfaqësues të fushave të ndryshme kanë lëshuar sot një apel për zgjidhjen e krizës politike, duke kërkuar miratimin e një pakti kombëtar. Duke folur në një tryeze me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe biznesit, Moisiu tha se për gjetjen e kësaj zgjidhje nevojitet dialog politik ndaj apeloi që palët të vendosin interesat e vendit mbi ato të partive.
“Për fat të keq kriza politike po përkeqësohet. Është koha e fundit për dialog mes aktorëve politikë për të gjetur një zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në kurriz të saj. Është koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u kthyer në krizat ciklike. Veprimet e dhunshme ndaj institucioneve kanë cenuar imazhin e Shqipërisë. Vetëm më vota arrihet demokracia funksionale”, tha ish-Presidenti i cili shtoi se nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesat vetijake të disa drejtuesve politikë është e patolerueshme.
Përdorimi i shprehjeve nxitëse dhe përçarëse, retorika denigruese ndaj rivalëve nga secila palë politike, mungesa e dialogut mes partive kryesore, të gjithë këta faktorë kanë çuar sipas tyre në cenim të sigurisë së qytetarëve. Të gjithë këta faktorë kanë çuar sipas Moisiut në cenim të sigurisë dhe të qetësisë së qytetarëve, veprime që dëmtojnë seriozisht themelet e demokracisë së brishtë shqiptare; veprime që kanë cenuar e po dëmtojnë shumë imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në botë; veprime që vijnë ndesh me dëshirat dhe përpjekjet e popullit për integrimin Evropian.

Ish-kreu i shtetit ka bërë të ditur deklaratën në të cilën kërkohet që kjo situatë duhet të marrë fund përmes një reformimi të thellë dhe një pakti kombëtar për integrimin. Ndryshim i Kushtetutës, i Ligjit zgjedhor dhe sistemit politik janë disa prej kërkesave të kësaj deklarate.
“Mbi këtë bazë, ne u drejtohemi publikisht institucioneve dhe partive politike, grupeve me ndikim publik dhe cilitdo që ka një zë në vendimmarrjen politike për: Mbrojtjen e integritetit të institucionit të zgjedhjeve, duke vlerësuar se vetëm përmes votës së lirë, të fshehtë, të ndershme e të pacenuar mund të arrihen ndryshime pozitive, stabilitet, legjitimitet dhe demokraci funksionale afatgjatë; Pranimin e faktit se ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008 prishën ekuilibrat kushtetues dhe sollën pasoja negative në sistemin tonë përfaqësues, për pasojë, pranimin e anulimit ose korrektimit të tyre të plotë; Ndryshimin e procesit zgjedhor për ta bërë atë më legjitim, si dhe zgjedhjen e Presidentit drejtpërsëdrejti nga qytetarët; Forcimin e kompetencave të institucioneve që garantojnë kushtetutshmërinë dhe japin garanci ndërmjetësimi e zgjidhjeje të konflikteve të mundshëm institucionalë, duke hequr dorë nga pritshmëria që të gjitha krizat tona të zgjidhen me ndërhyrje nga jashtë”, thuhet në këtë deklaratë.
Si funksion të kësaj kërkohet që forcat politike kryesore, të rikthehen në dialog institucional, në mënyrë që të ndryshohet korniza ligjore, përfshirë edhe kushtetutën, mbështetur në praktikat më të përshtatshme të botës së lirë lidhur me: “Garantimin e zgjedhjeve të lira, të fshehta e të ndershme përmes një strukture qeverisëse gjatë procesit zgjedhor, të tillë që mos ndikojë në fushatën elektorale nëpërmjet përfitimit nga funksioni i saj shtetëror; KQZ dhe të gjitha organet e tjera vartëse të respektojnë kërkesën ligjore për depolitizim; në to të zgjidhen individë nga institucione që janë larg politikës, numëruesit e votave të mos jenë përfaqësues apo militantë të partive politike, për të evituar çdo konflikt interesi përkundrejt rezultatit të votimit, dhe për këtë të merret përvoja e vendeve të zhvilluara”.
Gjithashtu në deklaratën e firmosur nga ish-presidenti edhe firmëtarët e tjerë kërkohet hetimi i individë të përfshirë në skandale të trafikut të votës dhe të forcohet legjislacioni penal për ndëshkimin e abuzuesve dhe të shkelësve të rregullave zgjedhore. “ Të respektohen rregulla strikt për financimin e partive dhe të vendosen ndëshkime penale për rastet e abuzimit dhe shkeljes së rregullave; Të forcohen masat ndëshkimore sipas Kodit të Sjelljes, që gjatë debateve politike në kuvend e jashtë atij të respektohen standardet etiketë sjelljes.
Si pjesë e zgjidhjes së kësaj krize me synime afatgjate propozohet si pikë e gjashtë që Kuvendi në bashkëpunim me shoqërinë civile, të zgjedhë një Komision të Posaçëm, të përbërë nga njerëz të pa angazhuar politikisht, si juristë, intelektualë, përfaqësues të medias, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të biznesit e të tjerë njerëz me integritet politik dhe moral, të cilët të hartojnë e të propozojnë ndryshimet përkatëse kushtetuese dhe ligjore. “Politika Shqiptare të hartojë një Pakt Kombëtar, ku të përcaktohet niveli në të cilin do të lejohet të bëhen ndryshime në administratë në rastet e ndryshimit të pushtetit”, theksohet në deklaratë.

Firmëtarët e deklaratës:
Afrim Krasniqi
Agim Binaj
Aleksandër Çipa
Aleksandër Xhuvani
Alfred Moisiu
Bajram Ibraj
Ben Andoni
Erion Kristo
Ermir Dobjani
Fatmira Laska
Fatos Tarifa
Gerta Meta
Ines Muçostepa
Kozara Kati
Lutfi Dervishi
Mustafa Nano
Nikolin Jaka
Pëllumb Xhufi
Premto Gogo
Skënder Minxhozi
Zamira Çavo
Zef Preçi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë