Modeli i dhënies me qira afatshkurtër dhe çmim të lirë krahasimisht me hotelet tradicionale ka rigjallëruar tregun e pasurive të paluajtshme në vend dhe ka shpluhurosur apartamentet stok.
Agjencitë impobiliare në kryeqytet thonë për gazetën “Si” se “përveçse ata persona që zotërojnë një shtëpi të dytë, nuk e lënë më të flerë, por e kanë hedhur në treg duke e listuar në Airbnb dhe booking.com, por ka nga ata syresh që po blejnë apartamente vetëm për këtë qëllim”.
Juliana Nela nga Re/MAX thotë se modeli “Airbnb” ka rritur kerkesen për apartamente për t’u investuar e trajtuar me Airbnb.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe Dritan Leka nga Century 21.
“Dhënia me qira ditore Airbnb apo booking.com apo dhe kompani lokale, ka ndihmuar tregun e shitjeve, sepse pronat në vetvete prodhojnë të ardhura, pra ka interes investimi. Sidomos në shitjen e pronave të “vjetra”, por me vendndodhje të preferuar. Blejnë prona për ti punuar me qira afatshkurtra ose edhe ditore”- shprehet Leka për gazetën “Si”.
Akomodimet Airbnb në kryeqytet janë tërheqëse veçanërisht për të huajt dhe kosovarët, pasi çmimet konsiderohen si shumë të lira dhe arredimi është i ngrohtë tamam si në shtëpinë e tyre, të paktën kështu shprehen ata në vlerësimet e tyre pasi e kanë marrë shërbimin.
Tirana, sipas GoEuro Açommodation Price Index është vendi me çmimin mesatar më të lirë të akomodimit në qëndrimet e Airbnb në botë me 30 dollarë nata.
Tirana ndiqet nga Madeira e Portugalisë e cila ofron një çmim mesatar për natë të akomodimit në Airbn 35$.
Airbnb ka rezultuar edhe këtë vit me rritje.

Modeli i njohur i dhënies me qira afatshkurtër në tregun e pasurive të paluajtshme po rritet nën makthin më të madh të industrisë së hoteleve. Në vitet e fundit Airbnb ka mbledhur më shumë se 4.4 miliard dollarë fonde dhe aktualisht vlerësohet në më shumë se 30 miliardë dollarë.
E themeluar si AirBed & Breakfast nga tre shokë shkolle në vitin 2008 për të ofruar banesa të përballueshme në çmim për qira afatshkurtra si një alternative ndaj hoteleve tradicionale, Airbnb evoluoi shumë shpejt në shumë më tepër se kaq, duke revolucionarizuar industrinë e udhëtimeve dhe duke ndryshuar fytyrën e shumë metropoleve nëpër botë ( jo domosdoshmërisht për më mirë, do të argumentonin disa syresh).
Kritikët vlerësojnë se Airbnb i ka kthyer qendrat e qytetit të destinacioneve të njohura turistike si Barcelona apo Lisbona në parqe tematike për udhëtarët ndërkombëtarë, duke mbledhur turma vendase e duke rritur çmimet e qirave, por atë që e përqafojnë këtë filozofi tregu, e vlerësojnë si një alternative të përballueshme dhe shpesh më tërheqëse se hotelet.
Grafiku, i bazuar në të dhënat e shpërndara nga Airbnb tregon numrin e qëndrimeve të mysafirëve në atë që konsiderohet si piku për industrinë e mikpritjes, nata e ndërrimit të viteve. Në vitin 2019, kompania ka bujtur në të gjithë botën 4.5 milion njerëz që qëndruan në një Airbnb në natën e Vitit të Ri, nga vetëm 540 mijë pesë vjet më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.