Politike

‘Model jo vetëm për Italinë’, Tajani prezanton në Parlament marrëveshjen Itali-Shqipëri për refugjatët

Nga Gazeta ‘SI’ - Ministri i Jashtëm Antonio Tajani ka prezantuar sot marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët në Dhomën e Deputetëve në Itali.

Tajani ka zbardhur detaje nga memorandumi me Shqipërinë për sjelljen e mijëra emigrantëve në vendin tonë. Ndër të tjera ai shprehet se marrëveshja me Tiranën nuk krahasohet me atë mes Britanisë së Madhe me Ruandën.

‘Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës. Nuk ka kontraktim të jashtëm të menaxhimit të kërkesave për azil në një vend të tretë. Dhe nuk ka asnjë shmangie nga të drejtat e garantuara ndërkombëtarisht’ – theksoi ministri i Jashtëm italian, Tajani.

Protokolli – vijoi Tajani – përcakton se në të dy qendrat e Shëngjinit nuk mund të ketë më shumë se 3000 emigrantë në të njëjtën kohë dhe se emigrantët do të mbërrijnë në portet shqiptare vetëm përmes anijeve të autoriteteve italiane të përfshira në operacionet e shpëtimit.

“Nuk do të ketë asnjë mundësi që emigrantët të dërgohen në Shqipëri përmes skafeve të kontrabandistëve apo nga anije që menaxhohen nga organizata ndërkombëtare. Emigrantët do të kenë të njëjtin trajtim të parashikuar nga rregulloret italiane dhe evropiane. Ne shpresojmë se mund të miratohet brenda një kornize kohore që është në përputhje me urgjencën e trajtimit të menaxhimit të flukseve në rritje të migracionit," tha ai.

Tajani deklaroi se marrëveshja është një model i mundshëm edhe për vendet e tjera.

“Marrëveshja e nënshkruar më 6 nëntor është një komponent i rëndësishëm i një strategjie të përgjithshme. Dhe një model i mundshëm, jo vetëm për Italinë, për bashkëpunimet e ardhshme me vendet mike”, u shpreh Tajani.

Sipas tij projekt-ligji përmban rregullat dhe ndarjet e nevojshme për zbatimin e protokollit.

"Qeveria synon të paraqesë me shpejtësi në Dhoma një projekt-ligj ratifikimi, i cili përmban gjithashtu rregullat dhe ndarjet e nevojshme për zbatimin e Protokollit. Diskutimi në Kuvend për të do të ofrojë mundësinë për një diskutim të thelluar dhe të arsyetuar. Shpresojmë që miratimi të bëhet në kohë të përputhshme me urgjencën e adresimit, edhe me mjete novatore, të menaxhimit të flukseve migratore në rritje”.

Përmes një marrëveshje që mban datën 6 nëntor mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij italiane, Meloni, Italia do të transferojë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm që futen në territorin e saj. Sipas memorandumit, Shqipëria do të presë rreth 36 mijë emigrantë në vit.

Rreth 150.000 emigrantë kanë mbërritur në Itali nga deti deri më tani këtë vit, krahasuar me rreth 94.000 në të njëjtën periudhë të vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë